Albert Krasniqi është vrarë pasditen e sotme në mes të Prishtinës, ndërkohë që për ngjarjen është arrestuar babai i tij. Dyshohet se ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri mbi të birin, për arsye që ende nuk dihen. Por Krasinqi është një emër i njohur edhe për mediat shqiptare. Ai ishte një prej të prangosurve të sherrit të 13 shtatorit, 5 vite më parë, jashtë hotelit të Behgjet Pacollit.

Rreth orës 17:00, para  “Swiss Diamond” ka ndodhur përleshja e fashme mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve, ata të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova. Si pasojë e kësaj përleshje, ku u përfshinë edhe armët e zjarrit, mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe reperin Noizy, i cili mori një plumb në të pasme, duke iu nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. 

Siç u raportua asokohë nga Prokuroria, ‘Noizy’ fillimisht i është vërsulur reperit ‘Cozman’-it duke e qëlluar me grusht. Mediat raportonin se në ngjarje për të shuar gjakrat ishin përfshirë vetë Behgjet dhe Selim Pacolli, por nuk kanë pasur sukses.

Ishte Alberti ai që shkrepi armën, duke plagosur reperin nga Durrësi. Pas të shtënave, në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila i ka bërë thirrje të ndjerit që të ulte armën, e cila është pranuar. Por pikërisht në momentin që Krasniqi ka lënë armën, është qëlluar me grusht nga anëtari i grupit OTR.

Për sherrin dhe ‘rrëmujën’ e shkaktuar Rigels Rajku i njohur si Noizy u dënua me dy mijë euro gjobë, ndërsa Albert Krasnqi ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burgim, por duke i ofruar mundësinë që dënimin ta kryente edhe jashtë, në këmbim të një gjobe.