“Ushqehen me kek, rrush dhe Coca-Cola”, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç kur u pyet për trajtimin e 3 policëve të rrëmbyer nga policia serbe.

Megjithatë, ka edhe një tjetër anë medaljeje, që është realiteti, shumë larg nga panorama e përshkruar nga Vuçiç. Ushqim i pamjaftueshëm, cilësi e dobët, këto janë disa nga fjalët që përdori Ministrja nga Kosova e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për të përshkruar situatën  e tre qytetarëve që mbahen në paraburgim në Kralevë padrejtësisht.

Ajo ka zbardhur detaje nga takimi i ambasadorit Jetish Jashari me ta. Gërvalla njoftoi se takimi i ambasadorit Jashari me tre oficierët, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa ka zgjatur 15 minuta me secilin. “Ata kanë theksuar si në vijim: Më 14 qershor rreth orës 12:30 minuta duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona me uniformë, të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka shtuar se zyrtari policor Beqir Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër. Ministrja e MPJD-së, ka shtuar se pas rrëmbimit ata janë dërguar brenda territorit në Rashkë, ku pas një ore kanë ardhur forcat e tjera serbe dhe i kanë dërguar në Beograd.

“Kanë treguar se nuk janë maltretuar fizikisht mirëpo nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm vetëm nga një copë bukë. Sipas tyre trajtimi është korrekt, u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhe pse cilësia është jo e mirë”, ka përfunduar ministrja Gërvalla.