Mijëra qyetatarë u mblodhën sërish sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën “Jo në emrin tim” kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Edhe në natën e 15-të të protestës ata kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin, ndërsa Kuvendi i Kosovës miratoi sot me 99 vota pro deklaratën lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Përveçse në Kosovë, protesta në kundërshtim të vendimit të Speciales janë mbajtur edhe në Shkup, në disa qytete të SHBA-së, në Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri, teksa janë paralajmëruar protesta të reja edhe në Bruksel për datën 10 tetor.

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte.