veseliDemarkacioni vazhdon që të krijojë përplasje brenda politikës kosovare


Kryetari i parlamentit të Kosovës Kadri Veseli lajmëroi dje se në seancën e radhës më 7 korrik, prapë nuk do të jetë në rend të ditës çështja e demarkacionit. Kjo tregon edhe njëherë sesa delikate është kjo çështje dhe se pozita e ka të vështirë që të mund të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën, nisur nga qëndrimet e kundërta. I pyetur për veprimet e opozitës pas vënies së flamurit në kufi me Malin e Zi, Veseli tha se nuk është mirë të dëmtohen raportet me vendet fqinje. “Duhet t’i lënë folklorizmat që dëmtojnë raportet tona ndërfqinjësore. Asnjë centimetër i vendit tonë nuk do të shkojë në ndonjë vend tjetër. Është mirë të ndalen gjëra të këtilla dhe të mos luhet me emocionet. Kjo është shumë fëmijërore”, deklaroi Veseli. Ndërkohë dje komisioni parlamentar për Integrimin Europian kërkoi informacion për ligjin Antimafia, mandatin e EULEX-it dhe ndryshimet në Kodin Penal. Për këtë arsye ata thirrën për raportim ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi. Bislim Zogaj, anëtar i komisionit, i kërkoi informacion ministrit të Drejtësisë, nëse duhet të kenë përgjegjësi përfaqësuesit e misionit të EULEX-it në rastet kur mbyllen hetimet, e të cilat fillimisht kanë nisur pa argumente. Ndërsa Kuçi tha se asnjë institucion i drejtësisë nuk jep llogari, por brenda tyre ka mekanizma që mund të shfrytëzohen nga qytetarët. Gjatë raportimit, Kuçi bëri me dije se përmbaruesit privatë janë nën monitorim dhe se, në momentin që vërtetohet se janë bërë shkelje, atëherë do t’u merret licenca. Ai tha gjithashtu se të gjitha ndryshimet e ligjeve do të bëhet brenda rregullave të Bashkimit Europian. Ndërsa sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, Kuçi tha se janë disa çështje që janë vërejtur, e që mendon se duhet të plotësohen.