Astrit Isufi, autori i masakrës me dy të vdekur në Gollubovc të Malishevës u arrestua mëngjesin e sotëm.  

Ai u gjet i plagosur, pasi dyshohet se gjatë përleshjes me vëllezërit Driton dhe Naim Morina ka marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, Isufi është i shtrirë në barelë, e po ashtu ka fasha në fytyrë.

Vrasja dyshohet të ketë pasur motive familjare teksa është zbuluar se Isufi ishte proceduar më herët penalisht, për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes, motrës së dy viktimave. Kjo e fundit kishte shkuar në shtëpinë e prindërve pasi i ati kishte ndërruar jetë gjatë ditëve të fundit.

Raportohet se autori kishte shkuar për të marrë bashkëshorten dhe është përfshirë në debat me familjarët e saj. Fillimisht raportohet se ai është larguar nga shtëpia, por është rikthyer sërish dhe ka qëlluar me armë dy kunetërit, që ndodheshin përpara derës së shtëpisë. Të dy viktimat kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.