Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, për herë të fundit në Kosovë ishte më 12 qershor të vitit 2019, në 20-vjetorin e shënimit të lirisë së Kosovës.
Në atë ditë ishte zbuluar busti i saj pranë Pallatit të Rinisë në Prishtinë, si shenjë falënderimi për veprimtarinë dhe kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Para të pranishmëve, Albright, në ceremoninë e 20-vjetorit, kishte mbajtur një fjalim, në të cilin tregoi se sa rëndë e kishte përjetuar robërimin e kosovarëve, më 1999.
“Një djalë i vogël aty mbante një letër, në të cilën shkruante ‘unë e dua Amerikën dhe unë dua të kthehem në Kosovë’. U ndala dhe bisedova me nënën e tij, e cila më tregoi se gjyshi i djaloshit kishte vdekur derisa gjyshja nuk dihet nëse është e gjallë, ka ngelur në Prishtinë. Pastaj hyra edhe në një tendë, kishte fëmijë e gra dhe iu thashë keni durim sepse do të ktheheni në Kosovë dhe se NATO do t’ju ndihmojë të bëni jetë normale. Falë burrave dhe grave në KFOR, ne e mbajtëm premtimin”, ka thënë Albright.
Ajo e pranoi se liria nuk do të ishte e mundur pa shefin e saj, presidentin Bill Clinton. Në natën më kritike, ky e kishte marrë në telefon. “Presidenti Clinton donte të sigurohej që Kosova do të jetë e sigurt. Në natën kur nisën bombardimet më thirri në mes të natës dhe më tha Medllin, avionët u nisën, ne po e bëjmë veprimin e duhur. Unë ia ktheva ‘po zotëri president, pajtohem plotësisht me ju’”.
Në skenën që ishte bërë në formë të shenjës së NATO-s, për të nderuar intervenimin e aleancës në Kosovë, pas Ollbrajt, fjalën e mori edhe Bill Clinton, i cili ishte po ashtu në Kosovë dhe në të njëjtën ditë edhe atij iu përurua një bust.
Më poshtë e keni videon e përgatitur nga Klan Kosova me vizitën e fundit të Albright, e cila ndërroi jetë sot në moshën 84-vjeçare: