Pamjet që shihni vinë nga shtëpia në Pejë, ku humbën jetën tragjikisht nënë e bir për shkak të vërshimit të ujit nga përmbytjet.

Ata ndodheshin në shtëpi në momentin që uji ka vërshuar në ambientet ku ata qëndronin, e më pas ka ndodhur tragjedia.

Njëri prej dëshmitarëve, përkatësisht i afërmi, ka treguar se për shkak të reshjeve të shumta i gjithë vendi është mbushur me ujë, e më pas rrjedha ka marrë 5-vjeçarin, trupi i pajetë i të cilit u gjet pranë shtëpisë së fqinjëve.

Pas disa orësh kërkime është arritur të gjendet edhe trupi i pajetë i 25-vjeçares, në ambientet e bodrumit të banesës. Gjithashtu janë arritur të shpëtohen dy fëmijët e tjerë të familjes, të cilët ndodheshin aty në momentin që uji vërshoi me shpejtësi.

Pasojat e moti të keq në Pejë mbeten të rënda, pasi rrjedha e ujit ka marrë me vete makina dhe mbeturina të shumta.

Rrugët e qytetit të Pejës u kthyen në lumenj, pas reshjeve të shumta të shiut, situatë e cila shkaktoi vështirësi dhe rrezik për qarkullimin e qytetarëve.

Sipas autoriteteve ekipet emergjente janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet masive të ujërave.