Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar Bashkimin Evropian nuk e po vlerëson progresin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Union.

Në intervistën për “Politico” ajo ka theksuar se Kosova “nuk ka flirtuar” kurrë me fuqi keqdashëse, duke përmendur Kinën, Rusinë dhe Iranin, por se ka qenë gjithmonë pro vlerave evropiane. Osmani ka shtuar se procesi i integrimit për Kosovën ka mbetur i bllokuar, duke theksuar se procesi i bazuar në merita siç është proklamuar nga BE-ja nuk po shihet të funksionojë për Kosovën.

“Nuk e ndiejmë që kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, është parë ose është vlerësuar. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë. 97% e njerëzve të Kosovës janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka e së ardhmes. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, tha Osmani.

Presidentja ka theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si barrë nga Bashkimi Evropian, por si domosdoshmëri strategjike.

Siç ka thënë ajo, Ballkani Perëndimor i paqëndrueshëm dhe i pasigurt, do të thotë një Evropë e paqëndrueshme dhe e pasigurt. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllok më 15 dhjetor 2022 dhe nga atëherë aplikimi ka mbetur i pashqyrtuar.