Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me burg të përjetshëm Naim Murselin, për planifikim të vrasjes së bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, si edhe ekzekutorin Granit Plava. 30 vite për bashkëpunëtorin tjetër Kushtrim Kokalla. Vendimi është marrë në seancën e mbajtur të martën.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku e gjen fajtor Naim Murselin, se e planifikoi vrasjen e nënës së dy fëmijëve të tij me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj i jetës si shtetase suedeze, një vlerë rreth 260 mijë euro, ngjarje e ndodhur në 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, teksa udhëtonin me dy fëmijët e mitur.
“Ky vendim sot shkon për Liridonën dhe fëmijët e saj. ky dënim duhet të jetë një mësim për të gjithë ata që mundohen të bëjnë një krim të tillë. Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen edhe neve, edhe familjes, ishte një vendim që po e prisnim të gjithë”, tha Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës.
Murseli pagoi Plavën 30 mijë për të kryer vrasjen duke i siguruar edhe armën. Sipas prokurores së çështjes, Javorka Përlinçeviç, Naimi e ka mbajtur përkrahu Liridonën që ajo të mos i shpëtonte plumbit, një ngjarje e rëndë para syve të fëmijëve të mitur.
Naim Murseli nuk e ka pranuar asnjë herë krimin, duke pretenduar se natën e ngjarjes familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në makinë në momentin e vrasjes, pasi u largua me dy fëmijët duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Murselin. Naim Murseli thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e së ndjerës.
Tom Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në 3 vjet.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli u pat deklaruar i pafajshëm. Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, ndërsa Kokalla kërkoi kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.
