Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në veri pak ditë më parë.
Kryeministri Albin Kurti nisi mbledhjen e Qeverisë me nderimin e policit të rënë, ku të pranishmit u çuan në këmbë për të nderuar policin e vrarë në veri të Kosovës, gjatë sulmit të grupit serb.
“Më lejoni që fillimisht t’ju ftoj për një minutë heshtje në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, heroit të Republikës, Afrim Bunjaku, që më 24 shtator ra në krye të detyrës në mbrojte të rendit dhe ligjit, shtetit të së drejtës integritetit territorial dhe atdheut”, tha Kurti.
Nga ana tjetër në këtë mbledhje qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 50 mijë euro për familjen e heroit Afrim Bunjaku, që ra në krye të detyrës.
“Është obligim i yni që kemi përballë vetëmohimit të Afrimit që ne sadopak ta përmbushim me atë që kemi e mundemi. Do të aprovojmë vendimin për ndarjen për 50 mijë euro për t’i dalë në ndihmë familjes së Afrimit.”- tha Kurti