Një person ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri pasditen e së mërkurës në Skenderaj. Policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, babë e bir, të cilët fillimisht ishin në arrati. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:45, ku viktima, një mashkull kosovar, u gjet i pajetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Gjatë operacionit të arrestimit, policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, tri pistoleta dhe 53 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.