Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur ditën e enjte në fshatin Golluboc të Malishevës, ku të vrarë mbetën dy vëllezër. I dyshuari për këtë ngjarje është dhëndri i viktimave.

Autori i dyshuar për vrasje fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa ditën e sotme policia ka arritur t’a arrestojë atë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

“Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Graishta.

Arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.