Ministri në detyrë i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për një zbulim të rëndësishëm arkeologjik në lokalitetin e Ulpianës, ku është gjetur një mbishkrim i dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.
Mbishkrimi i ri pason atë të mëparshmin, që përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet dardan. Kjo dëshmi e re tregon për ndërtimin e një bazilike episkopale dhe përfaqëson një nga dedikimet e rralla të Perandorit Justinian për vendin e tij të origjinës.
Ministri theksoi se punimet në Ulpianë dhe në lokalitete të tjera si Dresniku po zhvillohen në toka publike të shpronësuara vitin e kaluar dhe se trashëgimia arkeologjike po trajtohet me seriozitet të lartë.
Aktualisht po punohet në konservimin dhe menaxhimin e lokaliteteve, me mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë dhe me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e studimeve dhe publikimeve shkencore.
Sipas Çekut, këto zbulime hedhin dritë mbi historinë e vendit dhe janë një dëshmi e rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Ai ka theksuar përkushtimin për të vijuar kërkimet dhe mbrojtjen e pasurisë arkeologjike të vendit.
