Zyrtarët doganorë të Kosovës kanë zbuluar 300 kilogramë eksplozivë në një furgon që po kalonte në pikën kufitare të Zvërnicës. Sipas një njoftimi nga Dogana e Kosovës, automjeti u ndalua për kontroll rutinë, dhe më pas u dërgua për një kontroll të detajuar në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Gjatë kontrollit, shoferi i automjetit deklaroi se nuk kishte mallra për deklarim. Megjithatë, gjatë inspektimit, u gjetën mallra të padeklaruara dhe të rrezikshme, përkatësisht eksplozivë të fshehur në bagazhin e automjetit. Mallrat ishin të kamufluara me pajisje peshkimi dhe ndodheshin në thasë dhe pako, me një peshë totale prej rreth 300 kilogramësh.
Dogana e Kosovës ka bllokuar mallin dhe ka iniciuar procedurën për kundërvajtje doganore, sipas ligjeve në fuqi, përfshirë Kodin Doganor dhe Akcizat e Kosovës. Rasti i është dorëzuar Policisë Kufitare, e cila do të vazhdojë me hetimet dhe veprimet e mëtejshme ligjore.
