Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion ditën e sotme në veri të Mitrovicës, në vijim të arrestimeve që u kryen vetëm një ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Mësohet se janë kryer kontrolle në zyrat e disa qendrave sociale, ku dyshohet se janë ngritur struktura paralele për të detyruar qytetarët që të votojnë për partinë “Lista Serbe”. Dyshohet se qytetarët janë kërcënuar dhe janë udhëzuar se si duhet të votonin, duke u kushtëzuar ndihmat sociale.

Aksioni lidhet me katër arrestime që janë bërë me 8 shkurt, një ditë para se të mbaheshin zgjedhjet në Kosovë. Ende nuk ka njoftim për persona të arrestuar, teksa priten zhvillime të tjera.