Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë(KQZ), ka publikuar sot rezultatin paraprak të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të të gjitha votave.
Megjithatë, në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia në pushtet, ka dalë e para me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave. Partitë e tjera kanë fituar përqindje më të vogël të votave.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, edhe pse me rezultatet aktuale nuk i ka 61 deputetë për miratimin e kabinetit të ri qeveritar. Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që i kanë 10 mandate të garantuar në Kuvend.
Partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.
Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se në ditët dhe javët në vijim, Kosova rrezikon të përballet me turbulenca politike, për shkak të thellimit të ndasive mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë.


