Opozita i bëri thirrje ministrit të Financave, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, të kërkojë zyrtarisht nga institucionet ndërkombëtare listën e shqiptarëve që kanë transferuar para të jashtëligjshme jashtë shtetit.
“A ka mundësi t’i kërkosh Fondit Momentar Ndërkombëtar emrat, kontot, shifrat e të gjithë qytetarëve shqiptarë që kanë para të padeklaruara jashtë Republikës së Shqipërisë? Sot bëj kërkesë zyrtare në emër të Qeverisë së Shqipërisë që të gjitha kontot bankare të padeklaruara, emrat e tyre, shumat e tyre të të vijnë ty si ministër i Financash në dorë, 1.3 miliardë dollarë”, – tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.
Ministri i Financave Ridvan Bode u shpreh se qeveria ka institucionet përkatëse që merren me këtë çështje.
“Shteti ka institucione dhe absolutisht as FMN-ja dhe as BB-ja nuk mund të kenë listën e depozitave nëpër banka apo të trafiqeve që mund të ndodhin. Ne kemi ngritur një institucion, i cili funksionon dhe ka lidhje me të gjitha agjencitë botërore, sepse është anëtare e saj për Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave që komunikon me ta dhe ka informacione edhe këtu në Shqipëri, i ka deponuar edhe në Prokurori, edhe në gjykata janë bërë disa herë të dukshme”, – tha Bode.
Një ditë më parë instituti amerikan, “Global Financial Integrity” publikoi një raport, sipas të cilit në vitet 2005-2010 nga Shqipëria u transferuan 1.3 miliardë dollarë para informale jashtë shtetit, pjesa dërrmuese e të cilave ka si burim evazionin fiskal dhe trafiqet.
20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)