Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe shkrimtari e botuesi Xhevair Lleshi sjellin një album luksoz në këtë përvjetor. Një botim historik, bazuar kryesisht në material fotografik që rindërton historinë shqiptare që nga fillesat deri në ditët e sotme


Në këtë atmosferë kremtimesh të 100-vjetorit të Pavarësisë, studiuesi i njohur, Aleksandër Meksi, dhe Xhevair Lleshi kanë menduar të japin kontributin e tyre me një album historik. “100 Vjet Pavarësi Kombëtare” është promovuar mbrëmë në një ceremoni ku ishin të pranishëm Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, ambasadori Arvizu, deputetë, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik. Rrugëtimi historik i shqiptarëve është përmbledhur në një botim 300 faqe tepër luksoz, botuar nga “Uegen” me financimin e “Union Bank”. Albumi hapet me dy akte të pavarësisë, atë të vitit 1912 dhe atë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për të vazhduar me dëshmi prehistorike, Antikitetit e Mesjetës, duke u ndalur veçanërisht në periudhën e pavarësisë e duke ardhur kronologjikisht deri në ditët tona. “Falënderoj autorët për përkushtimin e tyre në realizimin e një vepre të tillë, që është e arrirë artistikisht, por që mbart edhe vlera historike. Shprehim nderimin tonë për këtë punë dhe modestisht kemi kontribuar në këtë vepër”, ka theksuar në fjalën përshëndetëse Edmond Leka, president i “Union Bank”. Në fakt, autorët kanë vlerësuar kontributin e vëllezërve Leka, Niko dhe Edmond, të cilët e shprehën kontributin e tyre në këtë 100-vjetor përmes botimit të këtij albumi luksoz.



Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, i cili ka qenë edhe kuratori i albumit, theksoi se ky është një botim që në këtë përvjetor, përpiqet të krijojë një imazh sa më të qartë të Shqipërisë që nga Ilirët deri në ditët e sotme. “Një album që do të zëvendësojë imazhin e deformuar që i kemi ngritur vetes”, ka theksuar Marashi. Kryeministri Sali Berisha, i ftuar nderi në aktivitet, duke folur për albumin, e konsideroi atë si një fotografi e shkëlqyer e kombit tonë. Duke bërë një kronologji të momenteve më të rëndësishme historike, qëndresat dhe figurat që kanë spikatur në to që nga Skënderbeu, Ismail Qemali e të tjerë, theksoi se “ky 100-vjetor duhet të jetë një mundësi reflektimi. Nëse hedhim një vështrim në 100 vitet që shkuan, në një mijë vite apo edhe më herët, ne kemi një histori nga më uniket. Dua t’i përgëzoj autorët se kanë paraqitur të vërtetat tona historike, me momente me të cilat kemi të drejtë të krenohemi, ashtu siç ka faqe të historisë sonë, me të cilat duhet të turpërohemi”, ka theksuar Kryeministri Berisha. Fotografitë janë lënda bazë e albumit, duke vendosur atje ku ka qenë e domosdoshme edhe  shënime. Autorët kanë dashur të theksojnë se në paraqitjen e fotografitë historike të ngjarjeve, por edhe personaliteteve të shumta, të kuruara në detaje, nuk janë përjashtuar ata që më parë kanë qenë të lënë në harresë. “Në këtë album, përfshihen pa asnjë përjashtim ngjarje dhe sidomos protagonistë të historisë shqiptare me kontributin e tyre të njohur, pak të njohur ose më keq të harruar apo të mbivlerësuar nga historia e diktaturës. Albumin e konceptuam si një vazhdimësi periudhash të historisë së popullit, ku peshën kryesore e zë periudha e shpalljes së pavarësisë. Fillohet me dëshmitë më të rëndësishme nga prehistoria deri në Antikitetin e vonë e Mesjetën, me synimin që të përftohet njohja e zhvillimit të vendit, të përfshirjes në perandoritë e mëdha të kohës si të barabartë. Më tej, një vend i rëndësishëm në album i kushtohet Rilindjes Kombëtare, figurave qendrore të saj që u përpoqën të ngrenë lart linjën atdhetare të shqiptarëve, të hapin shkollat në gjuhën shqipe me shkrimin e alfabetit të Kongresit të Manastirit. Siç thamë, vendin kryesor e zë pavarësia. Drejtuesit kryesorë të shqiptarëve me në krye Ismail Qemalin, e kuptuan se pavarësia shpëtonte zhdukjen e Shqipërisë. Në album vijnë si një tërësi të gjithë delegatët e aktit të pavarësisë dhe pjesëmarrësit në kuvend, pa përjashtuar asnjë nga ata që kanë qenë përjashtuar për motive që i njohim. Periudhat që do të vijnë më pas si Kongresi i Lushnjës,  institucionet, jeta parlamentare, legjislacionet e personalitetet, ilustrohen me besnikëri dhe me fotografi të kohës që nuk mungojnë. Blloku i fundit fillon me pushtimin italian, me rezistencën ndaj tij, me organizimin e luftës, me forcat politike të kohës dhe sidomos ngjarje dhe personalitete pak të njohura e të fshehura, sepse qenë armiq të komunizmit dhe diktaturës. Periudha e regjimit komunist jepet me të dyja aspektet, ndërtimin dhe ndryshimet ekonomike, njëherazi dhe me dhunën masive ndaj kundërshtarëve politikë dhe intelektualëve. Në rrjedhë kronologjike jepet lufta e bashkatdhetarëve tanë përtej kufijve për të drejtat e tyre politike e njerëzore. Albumi mbyllet me rrëzimin e diktaturës, për të vazhduar me ngjarjet më të rëndësishme që pasuan si afrimi me Bashkimin Europian, me NATO-n, Çlirimin e Kosovës dhe Pavarësinë e saj. Do të jenë ata që do të vijnë pas nesh që do ta ilustrojnë me hollësi dhe vërtetësi këtë periudhë”, ka theksuar Aleksandër Meksi. Xhevair Lleshi, shkrimtar dhe njëkohësisht botues i “Uegen”, duke folur për idenë e krijimit të këtij albumi, u është referuar fjalëve të Lef Nosit në festimin e 25-vjetorit të pavarësisë. “Ditën që bëhej i njohur albumi i 25-vjetorit të pavarësisë kombëtare, më 28 nëntor 1937, Lef Nosi vuri në dukje se ajo ishte një datë e thjeshtë, por që do të kujtohej shpesh, sepse për emër të Zotit qenë të pranishëm në 25-vjetorin e pavarësisë dhe se ishin të lumtur që jetonin në atë përvjetor. Dhe ne, për një analogji krejt të rastësishme mund të krenohemi që ia mbërritëm kësaj dite, por jemi katërfish më të gëzuar se Lef Nosi, pasi ky është një shekull. Duke mbyllur faqen e fundit të këtij albumi, na duket ende sikur po mbyllim një derë plot kërkëllima pas nesh, madje na duket sikur telat me gjemba të historisë i ndiejmë teksa u ngulen njerëzve në mish. Por, sidoqoftë, ky çast do të mbetet tejet i largët, duke na qëndruar pranë me një vetëdije të pakrahasueshme”, ka thënë Lleshi. Albumi mbyllet me një simbol që shënon një tjetër rilindje, me “New Born” që gjendet në Prishtinë.