Kuvendi i Shqipërisë përmes një ceremonie solemne ka nderuar sot 40 firmëtarët e Pavarësisë, duke u dorëzuar pasardhësve të tyre botimin special të Akteve të themelimit të shtetit shqiptar. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi kryeministri, Sali Berisha etj.


Në fjalën e saj hapëse në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se, sot shqiptarët janë të gjithë bashkë të lirë në trojet e tyre për të festuar këtë datë të rëndësishme të historisë së kombit, por edhe të gjithë martirët shqiptarë, pa veprën dhe atdhedashurinë e të cilëve nuk do të ishte e mundur kjo ditë.


“Shqiptarët janë të gjithë bashkë sot nga të gjitha trojet për të festuar datëlindjen më të bukur shqiptare. Sot jemi këtu jo vetëm për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë, por për të kujtuar shpirtin e luftëtareve shqiptarë kudo, pa atdhedashurinë dhe sakrificën e të cilëve nuk do ishte e mundur pavarësia. Ata që bënë Kongresin e Manastirit, Lidhjen e Prizrenit, burrat që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës dhe që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Ismail Qemali ngriti flamurin që nuk sulmoi kurrë të tjerët, flamurin tonë, të Skënderbeut, më të bukurin, faleminderit Ismail Qemal Vlorës, përjetë mirënjohës”, – u shpreh Topalli.


26 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)