Mazhoranca ka zhvilluar gjatë ditë së sotme homazhe në Varrezat e Dëshmorëve
100 vjetori i shpalljes së pavarësisë nuk ka mundur të prishë traditën e përvitshme të mazhorancës dhe opozitës për ta festuar të ndarë ditën e Çlirimit të vendit. Kështu, menjëherë pas mbylljes së ceremonive të organizuara nga Bashkia e Vlorës për 100 vjetorin e pavarësisë, përfaqësuesit e të djathtës i janë drejtuar kryeqytetit, për të bërë homazhe në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, duke përkujtuar kështu si çdo vit në të njëjtën ditë pavarësinë dhe çlirimin e vendit.
Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar si dhe përfaqësues të shtetit të Kosovës kanë vënë kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” për të përkujtuar dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni, dhe po ashtu as lideri i LSI dhe aleati kryesor i kryeministrit Berisha në qeveri, i cili edhe pas kësaj aleance ka vijuar t’i kryejë homazhet për festën e Çlirimit më 29 Nëntor, ashtu siç ka bërë e majta shqiptare në tërësi.
28 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)