Të dhëna


Numri – Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-i në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë


Puna – Rreth 15 mijë punonjës u angazhuan për mbledhjen e informacionit në terren në të gjithë vendin, duke ndihmuar në plotësimin e formularëve


Financat – Për kryerjen e censusit, përveç buxhetit të shtetit, rol kanë pasur në financim dhe ndihmë teknike edhe organizma si BE, SIDA, UNFPA, UNDP, SDC etj.


Filozofia – Censusi realizohet një herë në dhjetë vjet dhe ka si objektiv kryesor njohjen e realitetit demografik dhe socialekonomik në nivel kombëtar e lokal


Një vit pas censusit janë publikuar vetëm të dhëna paraprake


Fatjona Mejdini


Shqiptarët, në 100-vjetorin e Pavarësisë së tyre nuk do të dinë të dhënat kryesore për sa i përket popullsisë, siç janë anëtarët e minoriteteve dhe po kështu shifrat e besimit fetar. Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga koha në të cilën qytetarët shqiptarë iu nënshtruan procesit të regjistrimit, përpunimi kryesor i të dhënave ende është në fazat e para. Të vetmet të dhëna që kanë dalë nga ky proces deri tani, janë ato paraprake, të cilat u publikuan në dhjetorin e vitit të shkuar dhe dhanë vetëm një numër total të popullsisë dhe njësive ekonomike në vend pa bërë diferencime të tjera. Mospublikimin e të dhënave kryesore të këtij procesi për këtë vit e konfirmon në një farë mënyre edhe vetë Instituti i Statistikës, i cili ishte institucioni kryesor që organizoi këtë proces, pas dhjetë viteve nga censusi i fundit. Në kalendarin e publikimeve të rezultatit të cenusit të publikuar në faqen e internetit të INSTAT-it, si opsion për nxjerrjen e të dhënave kryesore jepet edhe tremujori i parë i vitit 2013.


Afatet


INSTAT-i kishte parashikuar si kohë për nxjerrjen e të dhënave kryesore nga procesi i censusit të realizuar në tetorin e vitit 2011, muajin tetor të këtij viti, por përpunimi i të dhënave brenda afatit njëvjeçar duket se nuk është arritur. Për këtë arsye, nëse i hedh një sy kalendarit të publikimeve për censusin, shikon se INSTAT-i ka lënë një afat kohor të gjatë për sa i përket mundësisë së publikimit të tyre. Kështu, Instituti i Statistikës parashikon nxjerrjen e këtyre të dhënave, duke nisur nga tetori i këtij viti deri në tremujorin e parë të 2013-s. Por, përveç kësaj, ajo që bie në sy në kalendarin e caktuar lidhet me faktin se pjesa dërrmuese e të dhënave të rëndësishme të këtij procesi regjistrimi është parashikuar të publikohet përgjatë vitit 2013. Të dhëna dhe analiza tepër të rëndësishme siç janë analiza dinamike e tregut të punës, niveli i jetesës, migrimi, projeksionet e popullsisë janë lënë për t’u publikuar në fund të vitit 2013. Po kështu, për element të të dhënave, siç janë sfidat e të rinjve dhe romëve, ende nuk është dhënë ndonjë afat për sa i përket kohës së publikimeve.


Procesi


Në dhjetorin e vitit të shkuar, dy muaj pas procesit të regjistrimit, INSTAT deklaroi se popullsia që banon në territorin e Shqipërisë është 2 831 741 banorë. Krahasuar me vitin 2001, vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Sipas INSTAT-it, supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. “Popullsia rezidente është e përbërë nga 1 421 810 meshkuj (50.2%) dhe 1 409 931 femra (49.8%), fenomen ky mjaft interesant për t’u studiuar në vijim nga të gjithë demografët e kërkuesit shkencor. Vlerësimi paraprak i numrit të personave që kanë refuzuar në këtë census është 29 355 ose 1.04% e totalit të popullsisë”, theksoi INSTAT në dhjetorin e vitit të shkuar. Sipas zyrtarëve, procesi i regjistrimit ishte një sukses dhe një domosdoshmëri, në një kohë kur të dhënat e fundit ishin marrë në vitin 2001.


 


Debati – Përpara nisjes së procesit të regjistrimit të popullsisë në vend, u diskutua dhe u debatua për sa i përket përfshirjes ose jo të të dhënave për fenë dhe etninë në formularin e censusit


Amendamentet – Frika se një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë do të deklaronin një etni të ndryshme nga ajo që kanë, u fashit nga dy amendamente të propozuara prej PDIU-së, të cilat kërkonin përputhje të deklarimeve me regjistrin e gjendjes civile


 


 


Mosbesimi


OMONIA vazhdon regjistrimin e saj


Shoqata e minoritet grek, OMONIA, duke nisur që nga muaji korrik i këtij viti, ka nisur procesin e saj për regjistrimin e popullsisë me kombësi greke, që jeton në formën e minoritetit në Shqipëri. Drejtuesit e kësaj organizate janë shprehur se do e vazhdojnë procesin deri në muajin dhjetor dhe në fillim të vitit tjetër do të japin numrin e saktë të minoritarëve grekë, të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe të atyre që i përkasin minoritetit grek dhe për arsye të ndryshme kanë emigruar jashtë Shqipërisë. Drejtuesit e OMONIA-s e kanë justifikuar këtë nismë personale me qëndrimin se ata nuk u besojnë të dhënave që pritet të nxjerrë INSTAT-it në lidhje me numrin e minoritarëve që jetojnë në Shqipëri. Sipas tyre, gjatë procesit të regjistrimit, një pjesë e minoritarëve janë penguar të deklarojnë etninë e tyre, si pasojë e disa kufizimeve që lidhen me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile.