Batutat për Ramën


Blushi: “Teserën e partisë Ramës ia ka dhënë Musa Ulqini. O Musa ku e gjete guximin”?


Majko: “Nënës Vlorë ia lëmë amanet Edi Ramën të na e sjellë si deputet lab dhe kokëfortë për sfidat që e presin”


Prezantimi i kandidatëve


Zgjedhjet 


Fatjona Mejdini


KONVENTA E PS - Kryetari i PS Edi Rama dhe kryetaret e partive te tjeraNë skenën e Pallatit të Kongreseve u ngjitën dje 140 kandidatët e Partisë Socialiste në të 12 qarqet e vendit, për të dhënë mesazhet e tyre se pse më 23 qershor, qytetarët duhet të votojnë për “Skuadrën e Rilindjes”. Duke nisur nga Lezha dhe duke përfunduar tek Vlora, dje pasdite, në fokus të mediave ishin kandidatët e përzgjedhur nga socialistët, të cilët rreshtuan projektet që PS do të realizojë në çdo qark të vendit dhe premtimet e pambajtura të kryeministrit Berisha. Një vend të rëndësishëm, përveç krerëve të listave për çdo qark, mbajtën dhe kandidatet femra të skuadrës socialiste. Kandidatet e çdo qarku theksuan dje se vota për PS do të ndryshojë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Konventa e Socialistëve në ditën e saj të parë, përfundoi me fjalën e kreut të PS-së, Edi Rama, me në sfond 140 kandidatët për deputetë. Ai shprehu bindjen për fitoren e 23 qershorit dhe theksoi se pas kësaj date, Shqipëria do të transformohet. “Pas një rruge të gjatë në opozitë, ne do të fitojmë më 23 qershor…për të ndërtuar Shqipërinë europiane”, shprehu bindjen Rama.


Majko: Tirana, Jerusalemi dhe sfinksi i Shqipërisë


Drejtuesi i listës së qarkut më të madh në vend, atij të Tiranës, pasi bëri një prezantim të skuadrës socialiste, e krahasoi kryeqytetin e Shqipërisë me Jerusalemin dhe qytetin ku niste ndryshimin i gjithë vendi. “Tirana është kryeqyteti i kombit më të ri në Europë. Ai është edhe stacion shpirtëror i identitetit jo vetëm i vendalinjve të mrekullueshëm por edhe pjesë e identitetit të një brezi të ri mbarëshqiptar. Tirana është Jerusalemi shqiptar ku bashkëjetesa fetare sfidon politikën. Tirana ka kohë që nuk është qyteti simbol i pushtetit në Shqipëri”, deklaroi Majko, duke e krahasuar kryeqytetin dhe me legjendarin sfinks. Ai theksoi se numri 29 që në fletën e votimit i përket PS-së është një sinjal i historisë, është 29 Nëntori i dëshmorëve të LANÇ-it për çlirimin e Atdheut.


Ruçi: Masterplan për bregdetin, status për naftëtarët


Kreu i listës së PS-së në Fier, Gramoz Ruçi, foli dje gjatë për projektet që socialistët do të zhvillojnë në këtë qark gjatë katër viteve të ardhshme, duke nisur nga bujqësia, duke kaluar te nafta dhe te bregdeti dhe duke përfunduar te sporti. Sipas Ruçit, me marrjen e pushtetit, PS do t’u japë status të veçantë naftëtarëve që sipas tij tashmë janë zëvendësuar me militantë. Sipas tij, vëmendje e madhe në këtë qark do t’i jepet turizmit, nisur nga fakti se Qarku i Fierit ka një të katërtën e bregdetit të Adriatikut, zonë e lënë në harresë. Ruçi i bëri thirrje të gjithë demokratëve të këtij qarku të dytë nga madhësia pas Tiranës, që më 23 qershor të votojnë PS-në për të respektuar veten nga mashtrimet që ka bërë kryeministri Berisha për zhvillimin e kësaj zone.


Leskaj: Në emër të skuadrës së Vlorës foli dje deputetja për këtë qark, Valentina Leskaj, e cila theksoi se Sali Berisha nuk kishte më asnjë të drejtë morale të bënte fushatë në Vlorë, pasi për tetë vite ai e kishte lënë në rrënim këtë qark. Deputetja Leskaj, theksoi se me Edi Ramën në krye të kësaj liste, Vlora do të bëhet kryeqendra e Jugut dhe laborator për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike dhe sociale në vend.


 


 


Lezha


Kodheli: Do t’i kthejmë borxhin këtij qarku të varfër


Kandidatët e Lezhës ishin të parët që çelën prezantimet e tyre në sallën e Pallatit të Kongreseve. Përfaqësuesja e këtij qarku, Mimi Kodheli, deklaroi se Lezha, Mirëdita dhe Kurbini janë tre emra që kanë dhënë shumë në historinë e vendit tonë dhe që sot fatkeqësisht janë lënë në mëshirë të fatit. Kodheli foli për situatën e rëndë të varfërisë dhe papunësisë në këtë qark dhe premtoi se situata do të ndryshojë sapo socialistët të marrin pushtetin.


 


Elbasani


Blushi: Krenar për skuadrën e këtij qarku


Në fjalën e tij, drejtuesi i listës socialiste në Elbasan, Ben Blushi, e vuri theksin tek skuadra cilësore që ka ky qark, duke shprehur bindjen se ata do të thellojnë rezultatin zgjedhor. Pasi i prezantoi një e nga një, Blushi theksoi se ndihej krenar që kishte mundësi të prezantonte në Kuvend Elbasanin, por dhe për personalitetet që përbënin skuadrën e tij. Ai tha se Elbasani i kishte dhënë Shqipërisë një kontribut shumë të madh në fushën e arsimit dhe kulturës dhe për këtë meriton më shumë vëmendje.


 


Korça


Fino: Do të rihapin mijëra vende pune në katër vite


Kreu i listës së PS-së në Korçë, Bashkim Fino, e vuri theksin në fjalën e tij te punësimi, duke premtuar hapjen e vendeve të reja dhe rihapjen e atyre që janë mbyllur nga keqqeverisja.


“Më 23 qershor Korça, Pogradeci, Kolonja e Devolli, fillon një kohë të re. Rilindja kombëtare tingëllon në Korçë më bukur se në çdo qark tjetër. Qeveria e rilindjes do ta mbrojë sektorin e fasonit duke rihapur mijëra vende pune që u mbyllën nga veshi i shurdhër i keqqeverisjes”, deklaroi Fino. Fjalë mbajti dhe aktorja Zamira Kita.


 


Durrësi


Klosi: Platformë industriale ekonomike për këtë qark


Kandidati i parë i Qarkut të Durrësit, Blendi Klosi, theksoi dje se socialistët do të zbatojnë në këtë zonë një platformë të rëndësishme industriale dhe ekonomike e cila do ta zhvillojë këtë qark të rëndësishëm. Sipas Klosit, punësimi do të marrë një hov të ri në Durrës, pas braktisjes së qytetarëve nga qeverisja e djathtë. Klosi premtoi dhe përfundimin e procesit të legalizimit në këtë zonë dhe shtoi se një rëndësi e veçantë do t’i jepet dhe monumenteve të kulturës, si dhe rihapjes së detit.


 


Berati


Ylli: Do t’i përgjigjemi me zhvillim, shkatërrimit të Berishës


Drejtuesi i listës së PS për Qarkun e Beratit, Fidel Ylli deklaroi se harresa e qeverisë së djathtë ndaj Qarkut të Beratit ka qenë fatale. “Qarku i Beratit ka mbetur si një ishull larg Shqipërisë, pa shkolla, pa shëndetësi, pa ato muzetë e mrekullueshëm që i njeh edhe UNESCO. Kryeministri i papërgjegjshëm ka ardhur pesë herë në një muaj në Berat, se e di që rilindja do të nisë nga Berati, ku bashkë me aleatët tanë do të marrim gjashtë deputetë”, premtoi Ylli.


 


Kukësi


Hoxha: PS do të fitojë dhe në këtë qark


Kandidati i Qarkut të Kukësit, Ram Hoxhaj, theksoi dje se fitorja e PS-së në të gjithë Shqipërinë do të marrë përpara dhe Qarkun e Kukësit. Sipas tij, kjo fitore do të vijë edhe për varfërinë e tejskajshme në këtë qark. “Të shumtë janë ata që mendojë se Qarku i Kukësit është vështirë të fitohet nga PS-ja, por unë dëshmitar i rritjes së papunësisë në të dhe të varfërisë. shpreh bindjen se PS do të fitojë si në gjithë Shqipërinë, ashtu edhe në Qarkun e Kukësit”, deklaroi Hoxhaj. Një fjalë mbajti dhe kandidati i parë i këtij qarku, Vexhi Muçmataj.


 


Dibra


Cani: Rruga e Arbrit, e përfunduar brenda mandatit të parë


Kandidati i parë i PS-së për Qarkun e Dibrës, Shkëlqim Cani, theksoi se matjanët, bulqizakët dhe dibranët do të jenë pjesë e kësaj fitoreje plebishitare më 23 qershor. Ai foli dhe për projektet që do të zhvillojë PS-ja në këtë qark, duke veçuar dhe atë të ndërtimit të Rrugës së Arbrit. “Programi i rilindjes parasheh në detaje mbrojtjen në radhë të parë të jetës së minatorit, statusin e minatorit dhe rritjen e punësimit në industrinë e kromit. Brenda mandatit do përfundojë Rruga e Arbrit”, deklaroi Cani.


 


Gjirokastra


Ahmetaj: Më 23 qershor do t’i kthejmë reston Berishës


Kandidati i parë i socialistëve në Qarkun e Gjirokastrës, Arben Ahmetaj, theksoi se më 23 qershor ky qark do t’i kthejë mbrapsht Berishës reston e keqqeverisjes dhe lënies në izolim. Ai premtoi kthimin e shkëlqimit për zonat të cilat përbëjnë këtë qark. “Gjirokastra është refuzuar vite e vite nga qeveria; Përmeti, Tepelena presin rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm, që do t’ua kthejë Partia Socialiste”, theksoi Ahmetaj, cili shprehu bindjen për fitoren e thellë të PS-së më 23 qershor në këtë qark.


 


 


Shkodra


Hafizi: Rama do t’i kthejë këtij qyteti shpirtin e lirë


Kandidatja femër e Shkodrës, Mimoza Hafizi, e cila drejton dhe listën për këtë qark, theksoi dje se Shkodra ka nevojë më shumë se të gjitha qarqet e tjera për rilindje. “Qarku i Shkodrës është ai që po provon varfërinë, papunësinë; shkodranët sot janë dyfish më të papunë se mesatarja e vendit. Shkodra e historisë dhe traditës, e humorit dhe këngës, e harmonisë fetare është në kaos. Kjo skuadër me Kryeministër Edi Ramën do t’i kthejë Shkodrës shpirtin e lirë, që vjen përmes punës”, premtoi Hafizi.