Shqipëri-Kosovë 


banner_8_nentor_mbledhje_qeverieMë 16 nëntor do të zhvillohet në Prizren mbledhja e përbashkët mes dy qeverive. Këtë e ka bërë të ditur mbrëmë Edi Rama, në rrjetet sociale, teksa komentoi takimin me ministren e Integrimit të Kosovës. “Me Vlora Çitakun dhe delegacionin simpatik të Ministrisë së Integrimit të Kosovës, për të folur për përgatitjet e axhendës të mbledhjes së parë të dy qeverive, që do të mbahet më 16 Nëntor në Prizren”, theksoi kryeministri. Ndërkaq, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, priti dje në një takim në Tiranë homologen e saj kosovare, Vlora Çitaku. Gjatë takimit theksi u vendos te nevoja e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të detyrimeve që ato kanë në procesin e integrimit në procesin e Bashkimit Europian. Sipas ministres Gjosha, mbledhja e përbashkët e dy qeverive e cila do të organizohet së shpejti në Prizren, është dëshmi e qartë për hyrjen në një epokë të re të bashkëpunimit maksimal për interesat e përbashkëta strategjike. Ajo theksoi se ministren Çitaku ishte diskutuar dhe për vazhdimësinë e Programit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, i cili pritet të ketë një impakt më të fuqishëm në statusin social-ekonomik të dy vendeve. “Përafrimi i legjislacionit të dy vendeve  me atë të Bashkimit Europian, koordinimi në përkthimin e Acquis në versionin shqip, shfrytëzimi sa më i mirë i instrumenteve financiare të BE-së janë çështje mjaft të rëndësishme për të cilat diskutuam me ministren Çitaku. Dy vendet kanë angazhimin maksimal për t’i përmbushur këto standarde”, deklaroi Gjosha pas takimit me homologen e saj.