Kreu i qeverisë u “rrëfen” të rinjve të PPE-së sulmin ndaj tij
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha, në një takim në zyrën e tij me të rinjtë e Partive Popullore Europiane, i është rikthyer idesë se në protestën e 21 janarit të dy viteve më parë u përdor dinamit dhe tritol nga protestuesit e opozitës. Këtë “rrëfim”, Berisha e rishfaqi ndaj të rinjve europianë, duke theksuar se kundërshtari i tij politik, Edi Rama, kërkonte ta rrëzonte me dhunë. “Më 21 janar, bazuar në një video kryekëput të falsifikuar, siç është faktuar, ky zotëri mendoi se do të përmbyste pushtetin me dhunë. Solli protestues dhe midis tyre rreth 200-300 persona të paguar, të zgjedhur nga bota e krimit, me të cilët mendoi se do të përmbyste me dhunë qeverinë. Përgatiti një fjalim dhe mori një megafon me vete, u instalua në kullat për karshi, duke besuar se nga ky ballkon që është tek kjo zyrë, do të mund të përshëndeste mbështetësit e tij që do të kishin rrëzuar qeverinë. Dhe ata sulmuan në mënyrën më agresive ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Mbi Policinë dhe Gardën e Republikës u hodhën me mijëra e mijëra tulla, gurë, hunj, por dhe dinamit”, u rrëfeu Berisha. Kreu i PD-së la të nënkuptojë se drejtësia do të përfundojë hetimet, duke paralajmëruar ndëshkimin e liderëve të opozitës. “Natyrisht, unë isha në zyrë. Ai mendoi se unë do të largohesha nga zyra, por unë jam njeri i detyrës dhe nuk kisha motiv që të largohesha. Ajo ishte një ditë e zakonshme pune për mua dhe nuk kisha ndërmend që t’i lëshoja zyrën. Pati katër viktima. Ishte një përpjekje për të përmbysur me dhunë një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira. Dështoi! Një proces hetimor është në vazhdim. Kërkova që drejtësia të thotë fjalën e saj për të gjitha aspektet e këtij akti të shëmtuar. Ne po presim”, tha më tej kryeministri. Në diskutimin e tij, Berisha vijoi akuzat ndaj opozitës për mosvotimin e tri ligjeve të kërkuara nga BE-ja. “Ai është tërhequr, sepse do t’i vendosë një mur qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit. Ky zotëri ishte dhe kundër heqjes së vizave. A mund të imagjinoni ju një njeri që shpërndante e-maile nëpër Europë, ku thoshte se po hoqët vizat për Shqipërinë, 1 milion shqiptarë do të dynden drejt jush. Në këto kushte, ne po shkojmë, pas zgjedhjeve, drejt një referendumi. Dhe referendumi do të jetë për këto tri ligje që bllokon zotëria, i cili për merita të bllokimit të këtyre tri ligjeve dhe për gjeografi u zgjodh nënkryetar i Internacionales Socialiste. Ju jeni udhëheqës të rinj, por unë ju them se kjo Internacionale herë pas here shndërrohet sikur të ishte një repart i Komintern-it. Erdhën një herë dhe bënë një mbledhje në Tiranë. Lëshuan një deklaratë kundër meje, e cila ngjante totalisht me terminologjinë që përdorte Komintern-i kundër borgjezisë. Natyrisht, këto nuk më bëjnë përshtypje mua”, theksoi Berisha.
Deputeti i PS-së replikon ndaj deklaratave të kreut të ekzekutivit
Braçe: Kryeministri nuk lejon ndëshkimin e vrasësve
Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se ai po i ikën thelbit të ngjarjes, mosndëshkimit të vrasësve së katër protestuesve të opozitës. “Sali Berisha po i ikën thelbit të ngjarjes: Vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm, paqësorë e të paarmatosur!! Sali Berisha po i ikën thelbit të pas ngjarjes: mosdënimit, lirimit të të paktën dy vrasësve të katër protestuesve!! Po i them këto sepse mësova që Sali Berisha u paska thënë ca djemkave e çupave të djathtë të Europës se: “Më 21 janar, kreu i opozitës donte të merrte pushtetin me dhunë; demonstrata u organizua nga 200-300 vetë kontingjentë të krimit të organizuar; mbi policët dhe gardistët janë hedhur mijëra gurë, tulla dhe dinamit”. E vërteta është ndryshe!! Sali Berisha arrestoi mbi 300 vetë, por asnjëri prej tyre nuk rezultoi i armatosur! Sali Berisha arrestoi mbi 300 vetë, por asnjëri prej tyre nuk rezultoi i dënuar më parë nga gjykatat e tij për ndonjë vepër penale! Sali Berisha vijon të insistojë se është sulmuar me dinamit, por ai mbeti gjallë; ndërkohë që kudo ku kontrolloi, madje dhe në shtëpi protestuesish qindra kilometra larg nga Kryeministria nuk u gjet dinamit, madje as çadra pistolete, çamçakëzë C4, thika me helm etj., etj!! Po dje, një prej avokatëve të tij, këtë herë esëll, tha se në zyrën e Sali Berishës kish depërtuar një plumb dhe se xhami ishte ndërruar pas 5 ditësh!!! Allah, Allah! Këtë nuk guxoi ta thotë as Berisha se e di që i ka xhamat antiplumb!!”, shkruan Braçe në “Facebook”.
Kreu i PBDNJ
Dule: E paprecedent, dyshimi për ekspertizën e FBI
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për të liruar Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, ka thënë se ky është një rast unik. Kjo, pasi sipas tij, është vënë në dyshim ekspertiza e FBI-së. “21 janari do jetë rasti unik në botë që strukturat tona vënë në dyshim ekspertizën e FBI-së. Do të jetë rasti unik në botë që strukturat tona vënë në dyshim ekspertizën e institucionit më të specializuar në botë për investigimet e këtij lloji siç është FBI”, deklaroi Vangjel Dule. Sipas tij, vendimi ishte një tjetër njollë e zezë e sistemit të drejtësisë. “Vendimi për 21 janarin, ishte dhënia e një nuance edhe më të zezë njollës që të gjithë shohim që ekziston mbi sistemin e drejtësisë. Nga ana politike, ishte një goditje ndaj besimit të qytetarëve në sistemin tonë politik, ndërsa nga ana humane, ishte vrasje për së dyti”, tha Dule. Duke u ndalur te miratimi i tri ligjeve në Parlament, ai është shprehur se Shqipëria nuk mund të europianizohet duke votuar thjesht tri ligje, por nevojitet një zbatueshmëri e përpiktë e tyre. “Ligjet për integrimin duhet të ishin votuar, por nuk duhet të kemi iluzionin se po të ishin votuar ligjet, ne do kishim marrë statusin e vendit kandidat. Nuk mund të europianizohet vetëm duke votuar ligjin. Kjo do të arrihet vetëm kur këto ligje të bëhen përjetim i përditshëm institucional në të gjitha aspektet e jetës së vendit”, përfundoi Dule.
Protesta e parë kundër vendimit për 21 janarin
Organizata të Shoqërisë Civile demonstrojnë para Gjykatës së Tiranës
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm dy oficerët e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, ka shkaktuar indinjimin e mjaft qytetarëve, të cilët kanë zhvilluar dje një demonstrim paqësor para selisë së gjykatës së kryeqytetit. Një grup qytetarësh shprehën shqetësimin e tyre për atë që e quajtën abuzim të pushtetit me gjykatat e që nuk është gjë tjetër, veç simboli i diktaturës. “Nën diktatin e pushtetit, gjykata, në kundërshtim me krejt faktet dhe me viktimat e vrara, i tha publikut, u tha shqiptarëve, i tha botës: Ata meritonin të vriteshin! Jemi këtu për të protestuar sepse pavarësia e gjyqësorit është thelbi i një sistemi me liri, kurse përdorimi, abuzimi nga pushtetet me gjykatat është thelbi i diktaturave që kërcënojnë, por edhe i diktaturës që përjetuan për 40 vjet shqiptarët”, u shpreh analisti Andrea Stefani. “Këtu nuk është më çështje drejtësie gjyqësore, por është çështje drejtësie njerëzore. Ne të gjithë e kemi parë se çfarë ka ndodhur në Gërdec dhe më 21 janar. Ne të gjithë kemi detyrën morale si qytetarë që të reagojmë për atë çfarë po ndodh në shoqërinë tonë”, tha Elton Kacidhja, përfaqësues i lëvizjes “Mjaft”. Të pranishmit në protestë ftuan edhe qytetarë të tjerë, pa dallim bindjesh politike që të bashkohen për të çliruar drejtësinë shqiptare, siç shprehen ata, nga pushteti autokratik. Për ta shprehur këtë në mënyrë simbolike, protestuesit mbanin në dorë një pankartë, në të cilën portreti i Kryeministrit Berisha mban të lidhur në litarë ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe oficerin Agim Llupo nga njëra anë dhe gjyqtarët Besnik Hoxha, Ardiana Bera dhe Arjana Caco në anën tjetër. Ishin këta gjykatës që shpallën të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, pasi sipas tyre, Prokuroria nuk mundi të provojë akuzat e vrasjes me dashje, ndërsa Garda mesditën e 21 janarit, sipas Gjykatës ka kryer mbrojtjen e institucioneve.
Socialistët po shqyrtojnë mendimin e organizimit të protestave në vend në kuadër të mosdhënies së drejtësisë, për katër viktimat e 21 janarit të dy viteve më parë. Këtë qëndrim e konfirmuan burime pranë PS-së, të cilat bënë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të merret edhe vendimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, deputeti socialist, Erjon Braçe, deklaroi se lyerja e Gjykatës së Tiranës me ngjyrë të kuqe mund të ishte një aksion në formën e protestës ndaj vendimit të padrejtë të gjykatës. “Lyerja e Gjykatës së Tiranës me të kuqe mund të jetë një tjetër aksion i dobishëm”, theksoi Braçe në rrjetin social, por duke shtuar se vendi ka nevojë për rithemelimin e sistemit të drejtësisë. Nga ana tjetër, të njëjtat burime bëjnë të ditur se PS-ja do të vijojë me intensitet jetën parlamentare në kuadër të nevojës për ta ngritur këtë çështje dhe në Parlamentin e Shqipërisë.
Stefani
“Këtu nuk është më çështje drejtësie gjyqësore, por është çështje drejtësie njerëzore. Ne të gjithë e kemi parë se çfarë ka ndodhur në Gërdec dhe më 21 janar”
Të pranishmit në protestë ftuan edhe qytetarë të tjerë, pa dallim bindjesh politike që të bashkohen për të çliruar drejtësinë shqiptare