Motra e Hekuran Dedës shpreson te Zoti e më pas te drejtësia


Zoti të vendosë më parë drejtësi e më pas njerëzia”, kështu është shprehur dje motra e njërit prej katër viktimave të 21 janarit, Hekuran Dedës. Pas pritjes në Kryeministri, por edhe ceremonisë në bulevardin kryesor përballë këtij institucioni, ajo ka rrëfyer edhe një herë momentin e hidhur kur mori vesh se vëllai i saj, Hekurani, ishte vrarë duke marrë pjesë në protestën e thërritur nga opozita e asaj kohe. “Lajmin për vrasjen e vëllait e mora vesh disa orë më vonë, pasi kishte ndodhur. Nuk më tregonin. Fëmijët më fiknin televizorin që të mos shikoja. Në darkë e mora vesh. Fëmijët e kishin parë në televizor dhe më thoshin që është plagosur. Kur shkuam te shtëpia, ndodhi ajo që ndodhi”, rrëfen me lot në sy e motra e Hekuran Dedës. Shpresat për vendosje të drejtësisë në vend, duket se për këtë familje janë zbardhur. “Me dashtë Zoti i madh, e vendos Zoti pastaj njerëzia. Me këtë kohë që ka ardhur, nuk po di as vetë sesi do bëhet. Boll kërkojmë që të vendoset drejtësia, fëmijët e tij po rriten jetimë”, thotë e motra e Hekuran Dedës me lot në sy.


Kunata e Ziver Veizit


S’ka reformë në drejtësi pa ndëshkimin e 21 janarit


Kunata e Ziver Veizit, Vera Veizi, e cila nuk mori pjesë në ceremoninë e organizuar dje nga Kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë e më pas në bulevardin kryesor, shprehet e zhgënjyer se për 5 vite nuk është vendosur drejtësi. “Pesë vite që Ziveri u vra në mes të kamerave. E pa e gjithë bota, u trondit gjithë bota. Drejtësia hesht, nuk flet. Këtë duam, ku ta gjejmë? Kjo do të jetë reformë po zgjidhi këtë çështje, po nuk zgjidhi këtë që është hapur në mes të sheshit në mes të bulevardit, në mes të botës nuk do të jetë. Po kush na pyet ne?”, deklaroi nga varrezat në Gjirokastër aty ku prehet trupi i pajetë i Ziver Veizit. Drejtësi kanë kërkuar edhe familjarët e Faik Myrtajt, të cilët shpresat i mbajnë te reforma për drejtësi që ka premtuar qeveria. “Shpresojmë se do të bëhet drejtësi. Do bëhet me reformën në drejtësi. Jemi të shqetësuar sa më ska”, është shprehur motra e Faik Myrtajt në përkujtim të pesëvjetorit të ndarjes nga jeta të vëllait të saj.


 


Letra e avokatit


“Jemi të lodhur


Avokat Mark Nika ka shkruar dhe një letër përpara se të merrte pjesë në Tiranë në ceremoninë përkujtimore. Ai shkruan se ngjarja po harrohet dhe se po na vritet shpresa.Vijmë në Tiranë për të përkujtuar (homazh) dhe vendos një buqetë, lulesh në vendin ku u vra Aleksi. Me ne do të jetë edhe Edi Rama (Kryeministri).


Dhimbja për të është e madhe jo vetëm se trupi i tij po kalbet në varr pa faj, por edhe se dosja e tij ka pesë vjet që myket në prokurori. Të gjithë i harruan ngjarjet e 21 janarit, harruan se çfarë tragjedie na ndodhi ne. Po na vritet shpresa e fundit


Ne nuk presim pafundësisht. I bëjmë thirrje shtetit ta shkundë drejtësinë dhe të dërgojë para drejtësisë organizatorët dhe vrasësit që tash janë të njohur prej nesh”, shkruan Mark Nikaj.