Gjykata vendos që Zabit Deda të paguajë 250 mijë lekë dhe të përgënjeshtrojë lajmin për gardistin Fatos Skeja
Gjykata e Tiranës ka vendosur që Zabit Deda, vëllai i viktimës së parë të protestave të 21 janarit, t’i paguajë 250 mijë lekë dëmshpërblim gardistit Fatos Skeja, për akuzat e publikuar në media ndaj tij. Gjyqtari i çështjes, Arben Mullai, ka vendosur të pranojë padinë për shpifje të ngritur nga efektivi i Gardës së Republikës, Fatos Skeja dhe i padituri përveç pagesës së dëmshpërblimit, duhet të përgënjeshtrojë deklaratat që ka dhënë në media. Në janar të këtij viti, gardisti Fatos Skeja iu drejtua Gjykatës së Tiranës për të depozituar një padi civile ndaj vëllait të të ndjerit Hekuran Deda (Zabit Deda) për shpifje dhe kërkoi prej tij një dëmshpërblim prej 5 milionë lekësh.
“Strumbullari” i padisë për shpifje të Skejës kanë qenë deklaratat publike të familjes Deda dhe pretendimet se ai kishte qenë “negociatori” i kryeministrit Berisha për t’u shkuar për vizitë.
Sipas tyre, Fatos Skeja u kishte shkuar mbrëmjen e 23 janarit për ti ngushëlluar dhe u ka kërkuar që të prisnin kryeministrin në banesën e tyre. Në favor, ai u kishte premtuar jo vetëm para, por edhe emrin e foton e vrasësit të të vëllait. Sipas tyre “marrëveshja” e ofruar dy ditë pas vrasjes së Dedës në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nuk është pranuar, pasi nuk mund të shisnin gjakun e Hekuranit. 21 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)