Gjykata e Tiranës ka vendosur të riverifikojë ekspertizën e Ndoc Çardakut, ekspertit të zgjedhur nga organi i akuzës për të bërë këqyrjen e teshave të 4 viktimave të 21 janarit. Togat e zeza kanë pranuar kërkesën e prokurorisë për të rrëzuar dëshminë e ekspertit Çardaku me argumentimin se ai ka dalë jashtë kompetencave të tij.


Në seancën e kaluar, eksperti ka dëshmuar para gjykatës se plumbi që ka goditur Ziver Veizin kishte bërë rikoshet në pemë, pastaj kishte prekur trupin e tij. Eksperti sqaroi se në këmishën e të ndjerit janë gjetur edhe ashkla druri. Po ashtu sipas tij, nëse qitja do të kishte qenë e drejtpërdrejtë, atëherë dëmtimi që do të linte në këmishë apo në trup do të ishte në formë rrethore apo ovale, ndërsa në rastin konkret nuk kemi asnjë nga këto forma.


Prokurorët e çështjes e kanë kundërshtuar këtë  aktekspertizë, duke kërkuar ekspert të ri për çështjen. Sipas tyre Çardaku nuk ka përgatitjen e nevojshme për ta bërë këtë. Ndërkohë pritet që trupi gjykues të caktojë një ekspert tjetër mjeko-ligjor, në vend të Çardakut, me pëlqimin e të dyja palëve.


Në procesin për ngjarjet e 21 janarit janë të pandehur ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i cili akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, gardisti Agim Llupo, i cili akuzohet për vrasjen e demonstruesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, si dhe shoferi i Prendit, Margarit Kume, ndaj të cilit rëndon akuza e kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Pak ditë më parë gjykata rrëzoi kërkesën e Llupos për revokimin e masës së sigurisë.


12 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)