Në prag të festës së 25-vjetorit të Partisë Socialiste që do të kremtohet sot në orën 19:00, ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar socialistët shqiptarë.
Përmes një postimi të gjatë në profilin e tij në “Facebook”, Berisha kujtuar kohën kur PS drejtohej nga Fatos Nano, duke i thurrur lavde për mënyrën e partisë dhe të ndryshimit të mendësisë.
Por nga ana tjetër, Berisha ka sulmuar kryeministrin aktual Rama, duke theksuar se modeli i tij, nuk lejon konkurrimin dhe garën për kryetar të Rilindjes, duke u kthyer në një parti e modelit stalinist.
Postimi i plotë i Berishës
Të dashur miq, sot socialistët shqiptarë kremtojnë një muaj me vonesë 25 vjetorin e ditës së emrit, pra të ndryshimit të emrit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Parti Socialiste të Shqipërisë, duke mbetur gjithnjë trashëgimtarë juridikë e PPSH. Asokohe PPSH mbeti e dyta parti komuniste e bllokut komunist, që nuk u shkri për t’i hapur rrugën krijimit të një force social-demokrate, por nisi reformimin e saj vetëm me ndërrimin e emrit. Pavarësisht nga kjo, edhe vetëm ndryshimi i emrit ishte një hap pozitiv, që hapi rrugën e reformimit te mëtejshem të kësaj Partie. Veçanërisht i rëndësishëm për këtë parti dhe për vendin ishte shndërrimi i saj gradual nga një parti anti-NATO dhe anti-BE, që propozonte në parlamentin e 23 viteve më parë rezoluta kundër NATO-s dhe bashkëpunimit euro-atllantik, e dominuar nga agjentura sovjetike, bashkëpunetorë të KGB, në një parti pro bashkëpunimit euro-atllantik dhe europian.
Përveç kësaj, pasojat e luftës së brendshme për pushtet nga fundi i viteve 1990 i dhanë mundësi Fatos Nanos, që në një garë, nga anëtar i thjeshtë të zgjidhet kryetar i PS dhe ta shkëpusë PSSH nga modeli stalinist pothuaj 60 vjeçar i partisë se një njeriu! Fatos Nano e aderoi PS-në në organizmat e socialisteve europianë dhe ka meritën e pranimit te rotacionit jo vetëm në parti, por dhe në nivel vendi! Ndaj dhe unë dua me sinqeritet të uroj socialistët shqiptarë për çdo arritje të tyre!
Por sot është rasti t’u rikujtoj atyre përgjegjësinë e madhe historike që kanë në krijimin, nga neo-bllokmenët në krye të PS, të monstrës politike që quhet Rilindje, e cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse rikthim nga bastardët e bllokmenëve hoxhistë të normave dhe standarteve antidemokratike, antikombëtare të etërve të tyre barbarë.
Sot modeli i Rilindjes ka shndërruar Partinë Socialiste në një parti, kryetari i të cilës, si asnjë tjetër në Shqipëri, Ballkan, Europë nuk lejon konkurrimin, garën për kryetar të Rilindjes, por detyron anëtarësinë të votojë në referendum që kryetari të mos votohet, duke e rikthyer këtë parti në kohërat e saj staliniste me të zeza.
Sot modeli i Rilindjes, bazuar në doktrinën e etërve “të krimit të dobishëm për pushtetin”, ka shndërruar qeverinë shqiptare ne një organizatë të rrezikshme kriminale të hajduteve të shtetit që drejtohet nga kreu i meduzës së krimit të organizuar, Edvin Kristaq Rama.
Sot modeli i Rilindjes, bazuar në këtë doktrinë ka shndërruar PSSH në konglomeratin dhe strofullën e vrasësve, pengmarrësve, trafikantëve, grupeve dhe organizatave më të rrezikshme kriminale, që me veprimtarinë e tyre, të mbështetur nga qeveria largojnë nga vendi për pasiguri qindra mijëra shqiptarë, bëjnë ligjin në parlament, në qeveri, në biznese, prokurime publike e private, dogana, tatime dhe institucione të tjera të “mazhorancës së qelbësirave”.
Sot modeli i Rilindjes ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të pasigurt në rajon dhe Europë, në Kolumbi të Europës, Kanabistan, Tritolistan.
Me gjithë këto, unë jam optimist dhe besimplotë se, pavarësisht nga gjendja aktuale dramatike e shqiptarëve, ata shume shpejt do t’i rezervojnë monstres së re të neo-bllokmenëve koshin e plehrave të historisë që i rezervuan partisë mëmë të etërve të tyre mizor”.
12 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)