Meta: Presim rritje të mbështetjes nga të rinjtë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të forumit rinor të kësaj partie në njësinë vendore numër 2 në Tiranë, në të cilin u anëtarësuan dhe 300 të rinj. Në këtë takim kreu i LSI-së, Meta, shprehu bindjen në fitoren e koalicionit PS-LSI në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke theksuar se më këtë zhvillim mundësitë e të rinjve shqiptarë do të rriteshin ndjeshëm. Sipas Metës, LSI është një forcë e cila u jep mundësi dhe perspektivë të rinjve shqiptarë dhe për këtë arsye radhët e tyre në këtë forcë politike pritet të shtoheshin. “LSI është një forcë që i bashkon të rinjtë për ndryshim, për një perspektivë më të mirë, dhe për të krijuar mundësi të reja për të gjithë vendin dhe në radhë të parë për veten e tyre për më të rinjtë. Radhët e LSI dhe LRI shtohen në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse LSI sjell shpresë, mesazhe pozitive, mesazhin e një ndryshimi konstruktiv, i cili do ta afrojë më shpejt Shqipërinë me Europën dhe i cili do të krijojë më shumë mundësi për të gjithë të rinjtë për një edukim më të mirë dhe në veçanti për një punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz në vendin tonë”, theksoi Meta në fjalën e tij, përpara të rinjve të LRI-së. Një fjalë në këtë aktivitet mbajti dhe kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, si dhe kreu i njësisë vendore numër 2 në kryeqytet, përfaqësuesi i LSI-së, Elez Gjoza.