Fakulteti i Mjekësisë ka festuar pasditen e së hënës 60-vjetorin e themelimit të tij, me një ceremoni ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.


Në fjalën e tij Berisha, në cilësinë e studentit dhe pedagogut të këtij fakulteti, shprehu respektin dhe mirënjohjen ndaj themeluesve dhe drejtuesve të tij, që sipas tij me punën e tyre kanë ngritur vendin në nivelet më të larta të vendeve të zhvilluara.


“Për mua, si ish student dhe pedagog i këtij Fakulteti, është një rast i veçantë, të përulem me nderimin më të madh para atyre, grave e burrave mendjendritur, që themeluan Fakultetin e Mjekësisë. Ata ishin korifenj të vërtetë të mendimit humanist shqiptar. Ata ishin shkencëtarë, mjekë të aftësive më të mëdha, që me punën e përkushtimin e tyre hodhën themelet e një mjekësie moderne, themeluan Fakultetin, çrrënjosën një seri sëmundjesh që bënin kërdinë në Shqipëri e mbi shqiptarët. U përpoqa të bëj një listë, por ajo ishte shumë e gjatë, ndaj mendova më mirë të shpreh  mirënjohjen time të pakufishme, ndaj tyre. Mirënjohje që sot është edhe e mbarë shqiptarëve. Të shpreh gjithashtu, nderim të madh për profesorët e mi, për kolegët e mi, për studentët e mi, të cilët në një betejë të pandërprerë, në një betejë legjendë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë tek shtrati i të sëmurit dhe në çdo skaj të vendit, ia kanë dalë sot, që, në treguesit më kryesorë të shëndetit, ta vendosin Shqipërinë, në hartën e vendeve më të zhvilluara”- tha Berisha.


Ndër të tjera, kreu i qeverisë ka përmendur disa arritje që sipas tij ka shënuar sektori i mjekësisë në vend, kryesisht për vdekjet foshnjore. “Shqipëria, e cila kishte vdekshmëri foshnjore dy e tre shifrore, sot ka vdekshmëri foshnjore një shifrore dhe ka një ndër nivelet më të ulëta në Europë e në botë, të vdekshmërisë amtare. Shqiptarët kanë mortalitetin më të ulët të përgjithshëm, se të gjitha kombet e tjera që dolën nga diktatura komuniste në Europë. Shqiptarët kanë sot, një nga mbrojtjet më të mira, në sistemin e tyre të vaksinimit”, ka deklaruar Berisha. Kreu i qeverisë premtoi se Fakulteti i Mjekësisë do të kthehet shumë shpejt në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës. Ai tha se duhet përgatitur sa më shpejt kuadri ligjor për shpalljen e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës dhe u premtoi pedagogëve dhe stafit të këtij fakulteti më shumë mbështetje nga ana e qeverisë së tij.


29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)