Politika shqiptare në 20 vitet e fundit është tronditur nga shpërthimi i shumë skandaleve. Përgjime, abuzime, koncesione, lidhje me kriminelë dhe oligarkë, kemi dëgjuar pafundësisht. Por nëse ka një figurë që mbetet protagonist i skandaleve, nga viti 2005 e në vijim, ai është padyshim kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

I katapultuar në PD nga familja Berisha, nëpërmjet COP-it (Komiteti i Orientimit të Politikave) në vitin 2005, Lulzim Basha i ngjiti shpejt shkallët e karrierës, por po aq shpejt u transformua në "yllin" e skandaleve më në zë të qeverisë së djathtë.

Sot, Basha flet për moral mediatik, por gjatë kohës kur ishte Ministër, ai dhe qeveria e tij shpërndanin miliarda lekë tek mediat, për t'i mbyllur gojën nga skandalet që shpërthenin nga të katër anët.

Fatura e "Rrugës së Kombit"

Sapo erdhi në pushtet, Sali Berisha i besoi Bashës detyrën e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, një nga dikasteret ku kontrolloheshin tenderat dhe investimet më të mëdha në infrastrukturën e vendit.

Pikërisht këtu, kreu aktual i PD-së nisi abuzimet e para. Kjo pasi, i dha jetë grabitjes së 230 milionë eurove, të kamufluar në një projekt që ishte veshur me petkun e patriotizmit dhe dashurisë për Kosovën si autostrada e pagëzuar "Rruga e Kombit".



Është vetë Kontrollit i Lartë të Shtetit, që me një raport të detajuar ka konstatuar vjedhjen e 230 milionë eurove me firmën e Lulzim Bashës. Sipas raportit të KLSH-së, vjedhja e parave u bë në periudhën 2005-2007 me fatura fiktive, me rritje të kostove vetëm në letër, me tatimin mbi të ardhurat, por edhe me pagesa për punë të pakryera.

Lideri i opozitës si Ministër Transporti nënshkroi një kontratë, ku u operua me tarifa aspak të barabarta për kilometrat e kësaj rrugë, ku një km i kushtoi shqiptarëve afërsisht 22 milionë euro, ndërsa një km tjetër i ngjashëm me të kushtoi 4-6 milionë euro.

Vrasja e 4 protestuesve në 21 janar

Bëmat e Lulzim Bashës mbi kurrizin e shqiptarëve nuk mbyllen me kaq. Vetë kreu i PD që sot kërkon të marrë pushtetin edhe me dhunë, ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, kur opozita e Edi Ramës protestoi më 21 janar 2011.



Basha, akuzohet gjithashtu se është përfshirë në korrigjim dhe manipulim të urdhrave të 21 Janarit, duke ndërhyrë në regjistrin e Gardës së Republikës, për të fshehur gjurmët e veprimtarisë së paligjshme.

Në fakt ka pasur një zinxhir manipulimi nga pushteti i atëhershëm, pasi u fshinë pamjet filmike nga serveri i Kryeministrisë, u ndryshuan tytat e armëve të zjarrit, u ndryshuan armët e zjarrit, u fshehën dhe u manipuluan urdhrat.

Përdorimi i KQZ-së

Historia e skandaleve të bujshme të Lulzim Bashës nuk mbyllet këtu.  Kjo, sepse kreu i PD akuzohet nga kundërshtarët për firmosjen e tenderave abuzivë si kryebashkiak i Tiranës për llogari të kunatit të tij Erion Isufi, mashtrim me CV-në, por edhe mosbërjen publike të viteve të diplomimit.

Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër ish-kreut të PS-së Edi Rama dhe pati një fitore të diskutueshme me 10 vota diferencë, por më së shumti këtë fitore ia vulosi përdorimi politik i KQZ-së, me Arben Ristanin kryetar.

Përfshirja e kunatit në pazare

Sa i përket kunatit, historia e ndërhyrjes si sekser që merrte shumë para, për llogari të kryebashkiakut Basha, nisi me landfillin e Sharrës.



Në media qarkulluan lajmet se disa ortakë të kunatit, përdorën dhunë ndaj romëve për t'i grabitur kanoçet. Kulmi i kunatit mbërriti edhe në vendimmarrjen e PD-së, ku garda e vjetër me Astrit Patozin, Genc Rulin dhe Jozefina Topallin e akuzuan Erion Isufin në 2017 se "vulosi" listën e kandidatëve për deputet dhe shiti mandate me shuma nga 100 mijë deri në 500 mijë euro.

Kunati në fakt, rezulton të jetë i lidhur në biznes ngushtësisht, me oligarkë që Lulzim Basha i përmend si të afërt me Ramën. Këtë do ta publikojmë së shpejti.

Gazeta SHQIP