berisha 7 marsiShoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave kanë bërë thirrje nëpër rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit për ta përdorir 8 marsin ashtu siç ka qenë gjithmonë, një ditë proteste dhe jo një ditë feste për kompensimin e kënaqësive të munguara përgjatë të gjithë vitit.


Por në Pallatin e Kongreseve, një aktivitet i organizuar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, u kthye në një miting elektoral, kur në skenë hyri kryeministri Sali Berisha dhe fjala e tij u ndërpre nga ovacione të gjata “Berisha-Berisha!”, ovacione që vështirë se kishin të bënin me festën e grave por ngjanin më shumë me një miting elektoral.


Vetë kryeparlamentarja Topalli, duke hequr dorë me shpejtësi nga fjalimi për të drejtat e grave, e përfundoi fjalën e saj duke deklaruar se gratë “do të votojnë për Sali Berishën”.


Pak më tutje, jashtë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, një grup i vogël vajzash dhe grash doli në protestë për faktin se politika me qëllim nuk respekton një detyrim ligjor që ajo vetë ia ka imponuar vetes, pra që në parlament të ketë një përfaqësi prej minimalisht 30 për qind deputete femra, për shkak se ligji ngarkon penalitete minimale me gjobë për mosrespektimin e kësaj klauzole.


Pjesa tjetër e 8 marsit duket se vijoi si vitet e shkuara në Tiranë, ku gratë preferuan të kalojnë kohën nëpër kafene dhe restorante, duke harruar se kjo sjellje nuk pritet të përmirësojë shumë gjendjen e tyre deri në 8 marsin e ardhshëm.


Studime të ndryshme tregojnë se në Shqipëri, gratë kanë nivel arsimor shumë më të lartë se sa burrat, por statusi i tyre shoqëror është gjithsesi shumë më i ulët sa i përket të ardhurave dhe nivelit drejtues.