Ligji – “Ligjërisht, kushtetutshmërish, ky është një problem shumë i rëndësishëm kushtetues që lidhet drejtpërdrejt me ligjet kushtetuese dhe veçanërisht me atë ‘Për shtetësinë’”


Vota – “Problemi kryesor që pritet të diskutohet, do të jetë dhe ky që ka të bëjë me zgjedhjet. Sepse, në atë ligj, po u miratua është e pamundur që atyre t’u mohohet e drejta e zgjedhjes”


Intervista


“Ndalimi i të drejtës së votës për emigrantët është antikushtetues”


Fatjona Mejdini


Fehmi AbdiuIsh-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, e konsideron si të papranueshme nga pikëpamja kushtetuese dhënien e shtetësisë shqiptare pa amenduar ligjin organik “Për shtetësinë”. Në një intervistë për “Shqip”, konstitucionalisti i njohur thekson se vendimi nuk mund të zëvendësojë një ligj, i cili për t’u miratuar kërkon tre të pestat e votave në Kuvend. Abdiu flet edhe për konsekuencat që kjo nismë do të ketë për zgjedhjet, duke theksuar se në momentin e marrjes së shtetësisë asnjë shtetas nuk mund të ndalohet më të votojë. Ai thekson se qeveria shqiptare në vend që të kërkojë të përfshijë në votime sa më shumë shqiptarë që jetojnë dhe jashtë, duhet të sigurojë fillimisht votën për emigrantët shqiptarë, si një e drejtë kushtetuese e tyre.


Z. Abdiu, si e shikoni nismën e fundit të propozuar nga Kryeministri Berisha për të krijuar një vendim qeverie, i cili u jep të drejtën shqiptarëve kudo që jetojnë, që për motive kombëtare të marrin shtetësinë shqiptare?


Është e domosdoshme të marrim një informacion të qartë mbi atë që pretendoni ju, se Kryeministri i Shqipërisë ka urdhëruar që nëpërmjet një akti qeveritar të ndërmarrë një nismë, për t’u dhënë shtetësinë shqiptarëve që nuk banojnë në vendin tonë, që banojnë në vendet fqinje apo gjetkë, sepse dihet që shqiptarët sot janë shpërndarë në të gjithë globin. Pavarësisht faktit se nuk e njoh tekstualisht këtë vendim që pritet të merret, unë me siguri mund të them fillimisht, që së pari nuk mund të mendohet as të diskutohet dhe as të vendoset që të jepet shtetësia shqiptare me vendim të Këshillit të Ministrave. E them këtë, sepse ligjërisht, kushtetutshmërish, ky është një problem shumë i rëndësishëm kushtetues që lidhet drejtpërdrejt me ligjet kushtetuese dhe veçanërisht me atë “Për shtetësinë”. Ky është një nga ligjet më të rëndësishme në vend, ashtu siç ndodh edhe me vendet e tjera. Së dyti, dhe nëse Kryeministri mendon dhe ka dëshirë, siç mund të kenë shumë shqiptarë, ta bëjë një gjë të tillë, ky problem mund të zgjidhet vetëm për sa i përket amendimit të ligjit “Për shtetësinë”. Mirëpo në këtë drejtim, dëshirat e mëdha të Kryeministrit, të cilat mesa duket kanë të bëjnë me interesat partiake politike për zgjedhjet, nuk mund të realizohen kollaj, sepse për këtë ligj kërkohet ajo që kërkohet për çdo ligj organik apo për Kodet, që të votojnë tre të pestat e numrit të deputetëve të Kuvendit. Sipas nenit 81 të Kushtetutës, ligji “Për shtetësinë” bën pjesë në ato ligje që duhet të miratohen me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë. Pra, nëse ky si problem do të diskutohet dhe do të merret edhe konsensusi i partive të tjera politike, i opozitës kryesisht, atëherë mund të diskutohej, sepse ligjërisht mund të mos ketë pengesë për t’u zgjidhur si problem.


Marrja e shtetësisë shqiptare sjell në mënyrë automatike edhe të drejtën e tyre për të votuar, ndërkaq Kryeministri theksoi se këta shtetas nuk mund ta kryenin këtë të drejtë këtë vit përgjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Si e shikoni këtë situatë?


Ky problem është i lidhur edhe me probleme të tjera shumë të rëndësishme. Në këtë kuadër është i lidhur edhe me të drejtën që kanë shumë shtetas shqiptarë përzgjedhjet, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Problemi kryesor që pritet të diskutohet do të jetë dhe ky që ka të bëjë me zgjedhjet. Sepse, në atë ligj, po u miratua me konsensus të gjerë, unë mendoj se është e pamundur që atyre t’u mohohet drejta e zgjedhjes. Pra nëse do të bëhet një ligj si ky, ata do të fitojnë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.


Në thelb, si e shikoni këtë nismë dhe si mund të jetë ajo më efektive dhe e zbatueshme?


Ky hap mendoj se është tërësisht politik dhe se po trajtohet në kuadrin e interesave politike këtë fushatë elektorale. Ne shqiptarët akoma nuk kemi zgjidhur një problem tjetër të më rëndësishëm sesa ky që pretendon Kryeministri. Pra, ne akoma u mohojmë shtetasve shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar. Janë qindra mijëra emigrantë që jetojnë të larguar nga Shqipëria, të cilët banojnë kryesisht në vende fqinje dhe në vende të tjera të botës dhe që antikushtetutshmërish nuk marrin pjesë në votime në Shqipëri deri në stadin elektoral që po flasim. Do të ishte më e drejtë, që përpara se të flasim për t’i dhënë shtetësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe që asnjë njëherë nuk kanë qenë subjekt i kësaj të drejte në Shqipëri, të flasim për ata që aktualisht këtë të drejtë ua garanton Kushtetuta shqiptare. Politika shqiptare duhet të përcaktojë rrugët, format dhe mënyrat sesi duhet të votojnë ata, të cilat janë shumë të thjeshta, të zgjidhshme dhe pa probleme. Pra, do ta mbyllja me faktin se politika dhe politikanët mundet të rregullojnë këtë mangësi të madhe kushtetuese që ka legjislacioni zgjedhor lidhur me këtë fakt, përpara se të pretendetojmë për t’u dhënë shtetësinë shqiptarëve të tjerë.


 


Emigrantët – “Janë qindra mijëra emigrantë që jetojnë të larguar nga Shqipëria, të cilët banojnë kryesisht në vende fqinje dhe në vende të tjera të botës dhe që antikushtetutshmërish nuk marrin pjesë në votime”