Ndryshimi i Kushtetutës
“Mungesa e ligjit organik për Presidencën, rëndon marrëdhëniet me qeverinë”
Mosmarrëveshje serioze kanë ekzistuar midis ish-qeverisë “Berisha” dhe ish-Presidentit Topi. Problematika kanë ekzistuar midis qeverisë “Nano” dhe Moisiut
Në këtë kapitull duhet riparë ajo çka është bërë më parë me ndryshimet e bëra në 2008-n, që lidhen me mocionin e besimit të Kryeministrit
Nuk janë përcaktuar qartë kompetencat dhe kufijtë e kompetencave të pushtetit ekzekutiv, kufiri ndarës i kompetencave të qeverisë me pushtetet e tjera
Unë nuk e kuptoj se pse asnjëherë mazhorancat parlamentare nuk kanë insistuar në domosdoshmërinë e hartimit të një ligji për Presidentin e Republikës
HERION MESI
Vetëm miratimi i një ligji organik për Presidentin e Republikës, që do të përcaktonte qartë veprimtarinë, rolin dhe kompetencat e kreut të shtetit, do të bënte të mundur shmangien e çdo konflikti dhe krize institucionale mes ekzekutivit dhe kreut të shtetit. Është ky gjykimi i ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, i cili mungesën e një ligji të tillë e shikon si shkak i acarimit që ekziston aktualisht mes Presidentit Nishani dhe mazhorancës aktuale, dhe veçanërisht qeverisë “Rama”. Sipas tij, ky ligj do të përcaktonte qartë edhe rolin e Presidentit sa u përket emërimeve të ambasadorëve. Në një intervistë dhënë për gazetën “Shqip”, Abdiu komenton dhe nismën e mazhorancës për realizimin e reformës kushtetuese, e cila, sipas tij, nuk duhet bërë “shkel e shko”, por duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ku të mbizotërojë mendimi i ekspertëve dhe jo mendimi politik. Konkretisht, një nga hartuesit e ligjit themeltar të shtetit, bën apel që të rishikohet në veçanti kapitulli i Kushtetutës që trajton çështjen e Këshillit të Ministrave.
Zoti Abdiu, mazhoranca qeverisëse ka ndërmarrë një nismë për të reformuar në tërësi sistemin e drejtësisë në vend, ku një hap i rëndësishëm i kësaj reforme është dhe reforma kushtetuese. Por për të shmangur në të ardhmen konfliktet mes Presidentit si institucion dhe qeverisë, si duhet realizuar kjo reformë?
Problemi që ju pyesni është i lidhur me një tjetër problem shumë të madh, që ka të bëjë me një fenomen që është vënë re prej kohësh në vendin tonë, me marrëdhëniet që ekzistojnë aktualisht mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë ose mazhorancës apo mes Presidentit dhe Këshillit të Ministrave, si pushtet ekzekutiv. Ky është një problem shumë i rëndësishëm dhe, sipas meje, nuk është një problem i tanishëm, por i hershëm. Po të analizojmë me vëmendje marrëdhëniet që kanë ekzistuar midis Presidentit si institucion dhe Parlamentit apo Presidentit dhe veçanërisht qeverive që janë ndërruar ndër vite, nuk është e vështirë për të konstatuar se mosmarrëveshjet kanë ekzistuar edhe më përpara kësaj legjislature. Ju e dini që mosmarrëveshje serioze kanë ekzistuar midis ish-qeverisë “Berisha” dhe ish-Presidentit Topi. Problematika kanë ekzistuar midis qeverisë “Nano” dhe ish-presidentit Moisiu, dhe nuk gabohem në qoftë se them që probleme të veçanta kanë ekzistuar edhe midis ekzekutivit “Nano” dhe ish-presidentit Meidani, për probleme natyrisht, më të cekëta, më pak të rëndësishme dhe më të kapërcyeshme. Por në legjislaturën e fundit, pra këto mosmarrëveshje midis mazhorancës aktuale dhe Presidentit, duket se dalëngadalë kanë shkuar drejt problemesh që janë prehur shumë dhe që tashmë kanë shkuar drejt problematikave shumë të ndjeshme e mjaft acaruese. Unë, në mjaft materiale të miat, kam trajtuar aspekte të veçanta të kërkesave për reformën në drejtësi apo reformën kushtetuese në përgjithësi, kam nënvizuar një fakt që, sipas mendimit tim, ka shumë rëndësi edhe për këtë çështje, pra për marrëdhënien midis këtyre dy institucioneve. E kam lidhur këtë me mungesën e ligjit organik për Presidentin e Republikës. Sipas nenit 6 të Kushtetutës, kërkohet që të gjitha institucionet kushtetuese, përjashtuar, Kuvendin e Shqipërisë, të organizohen dhe të veprojnë mbi bazën e ligjeve të tyre organike. Që nga koha që është hartuar Kushtetuta dhe deri më sot, kjo kërkesë e Kushtetutës në përgjithësi është pranuar e përmbushur dhe aktualisht sot, me sa di unë, të gjitha institucionet kryesore kushtetuese në Shqipëri, kanë ligjin e tyre. Funksionon për secilin institucion ligji për organizimin dhe funksionimin, por vetëm për institucionin e Presidentit një ligj i tillë nuk është hartuar nga Parlamenti.
A është mungesa e këtij ligji shkak i përplasjeve të vazhdueshme të qeverive me Presidentin? Dhe pse nuk është hartuar ende një ligj i tillë?
Natyrisht të kërkosh shkaqet dhe burimet e kësaj mungese janë probleme që do të na kushtonin shumë kohë, por e rëndësishme është që mungesa e një ligji organik për Presidentin mua më duket se ka qenë faktori kryesor që ka lejuar dhe ndikuar për rëndimin e marrëdhënieve të vazhdueshme President – mazhorancë apo President – ekzekutiv. Shumë herë këto acarime kanë ardhur për faktin se institucionet në fjalë kanë pasur pretendimet e tyre se si duhet kuptuar njëra kompetencë apo tjetra. Shumë herë konfliktet kanë lindur nga mënyrat e ndryshme se si i vrojtojnë të dyja palët praktikat e ndryshme që kanë ekzistuar në Shqipëri, në mënyrë të veçantë praktikat që rekomandohen nga Gjykata Kushtetuese apo nga ligji për aspekte të veçanta. Shumë herë konflikte të këtij lloji kanë lindur dhe ekzistojnë për mënyrat e ndryshme se si i konceptojnë problematikat të dyja institucionet. Ka dhe faktorë të tjerë, Presidenti i Republikës, si rregull në vendin tonë është një president që kryen dhe i përmbush detyrimet e tij kushtetuese në një republikë parlamentare, ku në thelb tonin e jetës së vendit duhet ta përmbushë dhe t’ia japë Kuvendi i Shqipërisë. Por, nga ana tjetër, Presidenti, duke u mbajtur fort pas konceptit se ai është kryetar i shtetit, herë-herë ka kërkuar dhe kërkon që mundësisht të jetë i pranishëm në pritje në shumë evenimente të rëndësishme politike dhe jopolitike të vendit, pse jo dhe për shumë çështje që mund të mos jenë të tilla, që të bëjnë të nevojshme angazhimin e tij si personalitet. Kompetencat e Presidentit, sipas Kushtetutës, janë të shpërndara: një pjesë gjenden në dispozita të veçanta në kapituj të veçantë të Kushtetutës; një pjesë tjetër dhe ato më kryesoret gjenden të grupuara te dispozitat që trajtojnë kompetencat thelbësore të Presidentit; një pjesë e tyre gjenden të shpërndara nëpër ligje të ndryshme, në një kohë që si rregull ato duhet të dalin mbi bazë harmonike në bazë të Kushtetutës. Këto dhe shumë faktorë të tjerë nuk janë unifikuar, nuk janë kuptuar dhe zbatuar në mënyrë të njëjtë e të vetme, por në mënyra të ndryshme dhe brenda llojit, ato kanë lejuar që midis këtyre institucioneve të ketë dhe të ekzistojnë problematika mjaft të diskutueshme sa janë shndërruar edhe në mosmarrëveshje midis institucioneve. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë mes, ka qenë fakti që ka të bëjë me praktikat e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, ndër shumë problematika të tjera, është një problematikë e tillë që ka dhënë opinionin dhe mendimin për domosdoshmërinë e bashkëkombinimit të të dyja palëve, të veprimtarisë së Presidentit dhe Parlamentit për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo asaj të Lartë. Duke qenë kështu, të gjithë këta faktorë kanë nevojë që të shkrihen, të qartësohen dhe të kuptohen në mënyrë të njëjtë dhe, kjo gjë mund të bëhej vetëm nëpërmjet një pakete ligjore ose së paku të një ligji qoftë të vetëm për Presidentin e Republikës, në të cilin të detajohen shumë problematika dhe shumë kompetenca e procedura që kanë të bëjnë me këtë figurë kryesore me kryetarin e shtetit, në kompetencat e Presidentit të Republikës. Unë nuk e kuptoj se pse asnjëherë mazhorancat parlamentare nuk kanë insistuar në domosdoshmërinë e hartimit të një ligji për Presidentin e Republikës dhe të gjithë këta presidentë që kanë ardhur dhe kanë ikur, nuk kanë kërkuar zyrtarisht nëpërmjet mazhorancave dhe nëpërmjet deputetëve apo faktorëve të tjerë që kanë të drejtë ta bëjnë këtë, ta miratonin një ligj të tillë të domosdoshëm për Presidentin e Republikës, sepse jam i bindur, ekzistenca e një ligji të tillë të detajuar, të plotë, të qartë dhe të kuptueshëm, do të kishte evituar shumë nga këto konflikte që kanë lindur dhe që lindin aktualisht sot midis këtyre dy institucioneve.
Do të shmangej konflikti më i fundit mes institucioneve në lidhje me emërimet e ambasadorëve?
Nuk do të kishte vend për të diskutuar dhe për t’u keqkuptuar edhe ky konflikt i fundit që ka të bëjë me propozimin e qeverisë për emërimin si ambasador të njërit prej ish-ministrave të qeverisë “Berisha”, që është propozuar për të qenë ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Nëse do të ekzistonte ligji për Presidentin e Republikës, e nëse në ligj do të ishte e përcaktuar se domosdo Kryeministri dhe qeveria duhej të bashkëpunonte me Presidentin, të merreshin vesh, të këmbenin mendime dhe të merrnin opinionin e Presidentit, atëherë praktika që ndoqi qeveria do të quhej me të drejtë një praktikë jo shumë e goditur dhe jo shumë e matur. Dhe e kundërta, nëse në ligj, ashtu siç është dhe sot, nuk ka pasur dhe nuk ka detyrim qeveria për të marrë paraprakisht një opinion Presidentit për këtë punë, për të bashkëpunuar paraprakisht me të, qartazi kjo praktikë e Presidentit të Republikës, si një kërkesë e tepërt, është e pabazuar në ligj, për aq kohë sa nuk ekziston e shkruar në asnjë dispozitë ligjore.
A mos kemi një nxitim të mazhorancës për ta bërë këtë reformë, e cila duket se nuk po pret që t’i bashkohet kësaj nisme as opozita?
Puna e nisur për reformën kushtetuese, është një nga problemet kryesore që të mund të quhet me të vërtetë reformë, merita e së cilës i përket shumicës aktuale. Ajo do të jetë një punë shumëdimensionale, e vështirë, e gjatë, komplekse dhe kam mendimin se nuk duhet vulgarizuar, nuk duhet konceptuar, nuk duhet quajtur si një punë që duhet bërë “shkel e shko”, nëpërmjet amendimeve të veçanta të neneve të veçanta të Kushtetutës, të arnimeve, ndryshimeve apo plotësimeve të tyre. Problemi i reformës kushtetuese duhet t’i preokupojë të gjitha institucionet dhe të jetë gjithëpërfshirëse, ku të marrin pjesë të gjithë faktorët politikë. Në mënyrë të veçantë të dëgjohet opinioni i profesionistëve dhe i specialistëve të veçantë dhe mbi të gjitha, për këtë duhet të shfrytëzohet dhe eksperienca 15-vjeçare, dëshmia, konkluzionet. Ajo çka është konstatimi në këta 15 vjet gjatë jetës së Kushtetutës aktuale. Pra, duhet të shfrytëzohet dhe të përmirësohen të gjitha ato aspekte, të cilat mund të nxirret përfundimi se ka pasur mangësi apo boshllëqe kushtetuese.
Përveç ndryshimeve kushtetuese që prekin çështjen e Presidentit të Republikës, a duhet bërë edhe ndonjë rishikim i Kushtetutës për sa i përket rolit dhe kompetencave të Këshillit të Ministrave?
Një kapitull që deri më tani nuk i është kushtuar një vëmendje e veçantë në Kushtetutë, është ai që ka të bëjë me Këshillin e Ministrave. Unë mendoj se ky kapitull në Kushtetutën tonë është dhe më i dobëti. Është një nga kapitujt që kur është zgjidhur dhe është pasqyruar në Kushtetutë, për të ka pasur mjaft probleme, ka pasur pakënaqësi, ka pasur një vizion jo shumë të qartë për punën e ekzekutivit dhe për pasojë janë lënë shumë problematika të përgjithshme, midis tyre janë lënë mangët dhe një pjesë e tyre mund të jenë lënë pa trajtuar me dashje apo pa dashjen e atyre që janë marrë me kompozimin e dispozitave të tilla. Problemi i ekzekutivit është një nga problemet kryesore, veçanërisht në kushtet aktuale që ka Shqipëria, duket se ekzekutivi me dashje ose jo ka dalë dhe del pushteti më i rëndësishëm, sepse koordinon të gjithë veprimtarinë e rëndësishme të jetës së vendit. Por te veprimtaria e ekzekutivit konstatohen mjaft boshllëqe. Akoma në Kushtetutë nuk është përcaktuar qartë kuptimi dhe roli i vendit që ka dhe që duhet të ketë ekzekutivi në një republikë parlamentare si kjo e jona. Nuk janë përcaktuar qartë kompetencat dhe kufijtë e kompetencave të pushtetit ekzekutiv, kufiri ndarës i kompetencave të qeverisë me pushtetet e tjera. Shumë gjëra që mendohet dhe që kryhen çdo ditë në jetën e përditshme nga qeveria, mund të ishin dhe mund të jenë në aspekte që mund të angazhohen dhe pushtete të tjera. Dhe e kundërta, shumë aspekte që i kanë pushtetet e tjera, mund t’i merrte dhe pushteti ekzekutiv. Këto problematika, për mua ia vlen për t’u diskutuar gjerë e gjatë dhe për të sqaruar para së gjithash kuptimin kushtetues të ekzekutivit. Së dyti, për të sqaruar dhe qartësuar kompetencat që duhet të përmbushë ekzekutivi duke e veçuar, duke e dalluar dhe duke e vënë të kuptojë që ai nuk duhet të përzihet në kompetencat e pushteteve të tjera. E them këtë, sepse po të shikosh dispozitën në nenin 95, paragrafi i dytë i Kushtetutës, ku thuhet se “Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”. Po të shikosh këtë paragraf nuk është vështirë për të kuptuar se kushtetutëbërësi me këtë ka dashur të përcaktojë funksionet që kryen qeveria, por nuk ka përcaktuar asgjë dhe është mjaftuar me një deklarim të përgjithshëm, që qeveria kryen çdo funksion që s’e kanë të tjerët, në vend që të ndodhte e kundërta, që kur i caktohen kompetencat organeve të pushteteve të tjera, atyre maksimalisht mund t’ju thuhet që mund të kryejnë kompetenca të tjera, përveç atyre që janë përcaktuar në qeveri. Një përcaktim i tillë ka më shumë logjikë dhe mund të ishte shumë më konkret, shumë më i thjeshtë dhe i qartë. Po kështu, ka shumë aspekte të tjera që duhen riparë në kapitullin që ka të bëjë me Këshillin e Ministrave.
A duhen riparë edhe ndryshimet e fundit të Kushtetutës që mazhoranca dhe opozita e atëhershme bënë në vitin 2008?
Domosdoshmërish. Në këtë kapitull duhet riparë ajo çka është bërë më parë me ndryshimet e bëra në 2008-n, që lidhen me mocionin e besimit të Kryeministrit. Sipas meje, ai ndryshim duhet rikorrigjuar me patjetër dhe të kthehet në praktikën e mëparshme, sepse në thelb është bërë enkas për të fuqizuar në mënyrë të pajustifikueshme pushtetin e Kryeministrit, për të nxjerrë në pah pushtetin e tij pothuajse absolut dhe ky rikthim bëhet për ta kufizuar dhe për të mos pyetur fare për mazhorancat parlamentare apo për faktorë të tjerë politikë që mund të vihen në lojë për të paraqitur mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit. Probleme të tilla ka shumë. Po në këtë kapitull nuk gjen asnjë dispozitë dhe nuk trajtohet asgjë lidhur me përgjegjësinë që duhet të mbajnë anëtarët e Këshillit të Ministrave në vetvete dhe pse jo edhe përgjegjësinë që duhet të mbajë edhe kabineti bashkërisht në mënyrë kolektive. Në përgjithësi, kushtetutat e vendeve të tjera kanë përcaktuar dhe parashikojnë përgjegjësi penale, përgjegjësi civile dhe përgjegjësi administrative të anëtarëve të kabinetit të Këshillit të Ministrave dhe pse jo edhe të këtij tonit. Mjafton t’ju kujtojmë se në Shqipëri, historikisht edhe në Kushtetutën e kohës së mbretërisë së Zogut, edhe në Kushtetutën e ’76-s, kanë ekzistuar koncepte që të paktën njihnin teorikisht detyrimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave për të dhënë llogari dhe për t’u përgjigjur civilisht dhe penalisht për veprimtarinë e tyre, duke u ballafaquar me legjislacionin e kohës së tyre. Ndërsa në Kushtetutën aktuale nuk ka asnjë gjë.