Një lidhje nepotike, dajë nip, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, e denoncuar vazhdimisht nga deputeti demokrat Lefter Maliqi, u pasua me shkarkimin nga detyra të Dritan Palnikajt.
Dritan Palnikaj, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, u shkarkua mbrëmë me firmë të kryeministrit Edi Rama, por daja i tij, Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, që është edhe i akuzuari kryesor për korrupsion nga deputeti Maliqi, vijon të jetë ende në detyrë.
Por nëse nipi u shkarkua për abuzimet me tenderat, ndërkohë që vazhdon të jetë ende në detyrë daja i tij, Agim Ismaili? Kjo është pyetja që me të drejtë bën çdokush.
Miliarda lekë tendera në duart e Ismailit dhe Palnikajt
Deputeti demokrat Lefter Maliqi ka denoncuar me shifra abuzimet, ku nipi (Dritan Palnikaj) bënte tenderat dhe daja (Agim Ismaili) i firmoste dhe i merrte në dorëzim.
Sipas tij, deri tani janë bërë 7 tendera, kurse dy tendera të mëdhenj duan t’i bëjnë sekret.
Sipas tij bëhet fjalër për një tender 700 milionë për rikonstruksionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe tenderi 4 miliardë për blerje armatimi.
Deri tani kanë bërë këto tendera dajë e nip:
Blerje pajisje logjistike diku te 90 milionë
Blerje pajisje mjekësore diku te 70 milionë
Rikonstruksion burgu Vaqarr diku te 40 milionë
Rikonstruksion burgu Lezhë diku te 50 milionë
Rikonstruksion ujërave të zeza, burgu Korçë, diku te 20 milionë.
Ndertim puse uji diku te 20 milionë.
Sipas Maliqit, Palnikaj ka liruar, shkarkuar, pezulluar, komanduar me dhjetëra punonjës duke shkatërruar rëndë sistemin penitenciar të burgjeve, duke marrë dhe kompetencat e ministres dhe duke thyer hapur rregulloren e brendshme të burgjeve.
Agim Ismaili, shantazh drejtuesve të burgjeve
Agim Ismaili, i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë pavarësisht akuzave për korrupsion me tenderat dhe nepotizëm, është faktuar përmes disa emaileve, se ka shantazhuar të gjithë drejtuesit e IEVP-ve dhe kreun e policisë së Burgjeve, Bardhul Kaçorin.
Menjëherë sapo mori drejtimin e burgjeve, pas largimit të Stefan Çipës, Ismaili nisi një furtunë shkarkimesh, pezullimesh, komandimesh të paligjshme, duke vendosur në postet drejtuese njerëz të tij, të cilët mund t’i kontrolljë, duke shkelur haptazi ligjin.
Gjithsesi, pavarësisht këtyre skandaleve dhe pavarësisht se është bërë objekt diskutimi çdo të enjte në Kuvend, si asnjë drejtor tjetër, ai vazhdon të jetë në krye të Burgjeve.
Gazeta SHQIP