Vilma Dule, në gjendje të rëndë. Dyshime se sulmi erdhi nga ndonjë punonjës i shkarkuar


E dëmtuara dyshon se sulmi u organizua nga ndonjë punonjës i shkarkuar prej saj në “Call Center”


Silvana Muça


vendi i ngjarjesMenaxherja 27-vjeçare e një kompanie “Call Center” ka rënë pre e një sulmi me acid në fytyrë, duke u plagosur rëndë, ndërkohë që policia dyshon se ky akt është kryer ndaj saj në shenjë hakmarrjeje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ndërsa Vilma Dule, 27 vjeçe, është dëmtuar shumë në fytyrë prej acidit dhe ndodhet e shtruar në pavijonin e djegieve plastike, në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë. Sipas dëshmisë së vajzës në polici, motivi i sulmit barbar, dyshohet që të jetë urdhëruar nga ndonjë ish-punonjësi i saj, që ajo mund ta ketë larguar nga puna. Për zbardhjen e ngjarjes, policia ka shoqëruar disa persona që dyshohet se mund të kenë dijeni për krimin e rëndë.


Sulmi me acid


Vilma Dule, rreth orës 8:00 të mëngjesit të djeshëm ka dalë si zakonisht për të shkuar në punë. Ajo ka qenë nën shoqërinë e hallës dhe kushërirës së parë, në momentin që është sulmuar me acid në fytyrë. E reja ka qenë e qetë, pasi nuk e ka pritur që do të binte viktimë e hakmarrjes ekstreme, të ndonjë personi që ajo ka pasur konflikte në të shkuarën. Sapo është futur në një nga rrugicat përballë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, për të dalë në rrugën kryesore, një person i paidentifikuar i është afruar, për t’i hedhur acidin në pjesën e fytyrës. Duket se agresori ka realizuar planin dhe pas sulmit është larguar me shpejtësi, duke lënë në vendngjarje bidonin që kishte me përbërjen kimike, të rrezikshme për lëkurën e njeriut. Halla e 27-vjeçares nuk është përpjekur që të ndalë kriminelin, por i ka shkuar në ndihmë mbesës së saj, duke trokitur në dyert e banesave aty pranë, për ndihmë. Banorët e zonës kanë nxjerrë ujë të pastër, në mënyrë që vajza të lante acidin nga lëkura. Pavarësisht se ndërhyrja për ndihmë ka qenë e shpejtë, përbërja kimike i ka shkaktuar vajzës dëme serioze në pjesën e fytyrës, kraharorit dhe në njërin prej krahëve. Ajo është nisur me urgjencë drejt spitalit “Nënë Tereza”, për të marrë mjekimin e nevojshëm. Që prej ditës së djeshme, Vilma Dule ndodhet në reanimacion, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.


Mjekët në spital


Mjekët specialistë bëjnë me dije se 27-vjeçarja ka djegie të shkallës së tretë. Dëmtimet në kraharor dhe fytyrë janë mjaft serioze, por fatmirësisht acidi nuk i ka prekur shikimin vajzës. Dule ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve dhe për disa ditë, ajo do të qëndrojë e shtruar. Pavarësisht se plagët mund të mbyllen, vajza është shpërfytyruar në fytyrë dhe sipas ekspertëve përveç dëmtimeve të dukshme fizike, viktimat nuk e marrin veten as psikologjikisht, duke u kërkuar familjarëve që t’i qëndrojnë sa më pranë vajzës. Ndërkohë, në spital ndodheshin xhaxhai dhe një kushërirë e parë e Vilma Dules, pasi familja e menaxheres banon në Vlorë. Ata janë nisur menjëherë drejt kryeqytetit, pasi janë njoftuar. Dule prej disa vitesh banonte me qira në një pallat pranë godinës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.


Dëshmia e vajzës


Grupi hetimor ka shkuar në spital për të marrë në pyetje vajzën, e cila ka folur edhe për dyshimet e para të saj. Sipas policisë, Vilma Dule pretendon se nuk e ka njohur agresorin, por dyshon që ai është urdhëruar nga ndonjë person tjetër. “Unë prej tre vjetësh punoj si menaxhere në një kompani private “Call Center” në Tiranë. Kam në varësinë time mbi 400 punonjëse. Gjatë ushtrimit të profesionit, kam qenë pak e rreptë duke pasur debate në punë. Në disa raste kam hequr njerëz nga puna, kam vendosur gjoba e të tjera. Dyshoj se ngjarja ka lidhje me ndonjë nga ata që kam pasur vartës. Personin që më sulmoi, nuk e njoh, por ai duhet të jetë futur nga dikush tjetër, por fytyrën ia kam fiksuar shumë mirë. Ai kishte trup të mesëm, ishte rreth 24-25 vjeç. Nuk ishte i maskuar dhe mbante veshur një palë pantallona të shkurtra dhe bluzë të shkurtër. Nuk më tha asnjë fjalë kur më sulmoi”, ka dëshmuar Dule në polici. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes ekspertët kanë gjetur bidonin e acidit. Ai është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, me shpresën se mund të gjenden shenja gishtash të autorit të krimit. Agresori ka pasur informacion të saktë për lëvizjet e 27-vjeçares. Ai e ka ditur orarin e daljes së saj nga banesa, për të shkuar në punë dhe si pasojë e kësaj i ka bërë pritë poshtë pallatit, ku vajza jetonte prej disa vitesh. Deri në mesditë, Policia e Tiranës ka shoqëruar rreth 14 persona, ku pjesa dërrmuese e tyre janë njohur në marrëdhënie punë dhe tre të tjerë, që njihen në kushte të tjera me vajzën. Paraprakisht dyshohet se vajza është sulmuar nga ndonjë person i urdhëruar nga ish-punonjësit e vajzës, në shenjë hakmarrjeje të heqjes nga puna. Pista e dytë në të cilën policia po heton është edhe jeta personale e vajzës, ku dyshohet se mund të ketë pasur konflikte me ndonjë djalë, por ajo hidhet poshtë nga kushërira e parë e vajzës.


 


 


Dëshmia


Xhaxhai: Sulmi, për konflikte në punë


Xhaxhai i vajzës, i cili ndodhej në spital, dyshon që sulmi mund të jetë bërë për konfliktet që vajza ka pasur në punë, pa dhënë ndonjë emër konkret. “Unë jam xhaxhai i vajzës. Vilma nuk ka pasur probleme si person, sepse ajo është shumë korrekte. Ne më shumë besojmë që ia ka bërë ndonjëri te puna, në shenjë hakmarrjeje. Unë jetoj në të njëjtin pallat me Vilmën dhe nuk di të ketë pasur shqetësime dhe nuk dimë se çfarë të themi”, është shprehur xhaxhai i Dules. Gjithashtu, ai ka treguar për gjendjen shëndetësore të 27-vjeçares, ndërkohë që nuk mund të thotë ndonjë emër konkret për autorin e sulmit me acid, por kërkon nga policia të zbardhet ky sulm barbar.