Dyshimet


U paguante tre të rinjve nga 5 deri në 20 mijë euro për atentat


Admir TafiliTre të arrestuarit e ditëve të fundit nga Policia e Tiranës, të dyshuar si vrasës me pagesë, mendohet se kanë marrë porosi nga Admir Tafili, personazhi i famshëm i arratisjeve nga burgu. Pagesat për një vrasje apo atentat me tritol, dyshohet se varionin nga 5 deri në 20 mijë euro dhe jepeshin nga ambientet e burgut, ku është aktualisht shkodrani. Roli i Tafilit dyshohet të jetë ai i porositësit të vrasjeve dhe ka shërbyer si ndërmjetës për palët e treta, teksa tre ekzekutorët mendohet ta kenë zbatuar porositë për mbi 5 ngjarje të rënda. Momentalisht, të arrestuar, me dyshimin si vrasës me pagesë janë 28-vjeçari Alfred Qefalia, nga Farka e Tiranës, Kristi Pine, 24 vjeç, nga Elbasani, banues në Tiranë dhe 41-vjeçari nga Buçimasi i Pogradecit Armando Gorezi. Nga burime të rezervuara të policisë mësohet se fillimisht asnjëri prej tyre nuk pranoi autorësinë e ndonjë atentati, teksa orët e fundit, një prej tyre duket se ka ndërruar mendje dhe do të pranojë të rrëfejë krimet. Momentalisht, akuzat zyrtare ndaj tyre janë ato të armëmbajtjeve pa leje.


 


Tafili porositës


Dyshimi se Admir Tafili, i dënuar me burg përjetë për vrasje dhe arratisje nga burgu, mund të ketë porositur shpërthimet me tritol dhe vrasje, është përforcuar nga dëshmia e një prej tre të arrestuarve. Mes këtyre dyshimeve përmendet edhe shifra e 5 deri në 20 mijë euro për një atentat. Shpërthimi në rrugën “Budi”, vitin e kaluar, ku u plagosën tre persona, disa vrasje apo atentate dhe tritolet e fundit në Tiranë dyshohet se janë porositur pikërisht nga Tafili dhe ekzekutorët e këtyre akteve mendohet se janë Gorezi, Qefalia dhe Pine. Ende nuk është i qartë momenti sesi arrinte Admir Tafili të porosiste këto atentate, me telefon, apo përmes takimeve në burg. Një tjetër aspekt i paqartë i kësaj dosjeje hetimore është edhe përfituesi real nga këto atentate, pasi roli i Tafilit dyshohet të jetë ai i porositësit në cilësinë e ndërmjetësit. Ekspertë të Krimeve të Rënda pritet të marrin edhe dëshminë e Tafilit në ambientet e burgut, teksa po kryhen verifikime rreth telefonatave që ai mund të ketë kryer edhe pse është e paligjshme apo takimeve që mund të ketë pasur me pjesëtarët e bandës. I vetmi fakt real dhe i ditur botërisht tashmë, që përbën një lidhje të drejtpërdrejtë të Admir Tafilit, me një nga anëtarët e kësaj bande është një emër: Alfred Qefalia. Deri para pak ditësh, Gjykata e Korçës, e dinte të arratisur në Greqi këtë person, të cilin e kishte dënuar si njeriun që ndihmoi Tafilin të arratisej nga burgu i Drenovës, në vitin 2013. Ndaj Qefalisë rezulton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Korçës, me vendimin nr. 499, viti 2013, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, po për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, si dhe dhënien ndihmë për arratisjen e vëllezërve Tafili dhe pesë të tjerëve nga Burgu i Drenovës më 23 nëntor 2013. Më 11 shkurt, në orën 23.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Alfred Qefalia, 28 vjeç, banues në Farkë e Vogël Tiranë. Arrestimi i tij u krye, pasi në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë, në praninë e një vajze, ai është kapur në flagrancë me një armë zjarri tip “Zastava”, të cilën e posedonte pa leje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri tip “Shotgan”, veshje antiplumb, 26 fishekë pistolete, 19 fishekë armë gjahu, dy dylbi teke për armë zjarri të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.


 


Arratisjet nga burgu


Arratisja e parë nga burgu i sigurisë së Lartë në Drenovë ndodhi mbrëmjen e 23 nëntorit të 2013-s. Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri u arrestuan në një magazinë në Përrenjas vetëm një ditë pasi arritën të dilnin nga qelitë e burgut në Korçë. Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula u arratisën drejt Greqisë. Arratisja e bujshme pasoi me ndëshkimin e disa gardianëve dhe bashkëpunëtorëve të të burgosurve. Ndërkaq, nëntorin e vitit të kaluar, vëllezërit Admir e Genc Tafili si dhe Fran Marashi e Gëzim Guri, me anë të dokumenteve të falsifikuara, po përgatiteshin të merrnin leje të veçanta, për të vënë në jetë planin e arratisë. Ky projekt i të burgosurve kishte filluar të vepronte kur Genc Tafili, pasi kishte siguruar dokumente të falsifikuara, të depozituara nga i arrestuari Jetmir Guzi, kishte arritur të fitonte lejen 8-orëshe për të dalë nga qelia. Kjo leje, sipas prokurorisë, është dhënë me arsyen, se do të vizitonte bashkëshorten që ishte shumë e sëmurë nga zemra. Admir Tafili është dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e vëllezërve Pjetrushi, në Shkodër. Ai akuzohet për vrasjen e dyfishtë, të Nikë dhe Gjovalin Pjetrushit, 31 dhe 25 vjeç, ngjarje e cila ndodhi më 18 mars, të vitit 2012, rreth orës 08:00 në fshatin Grudë e Re, të komunës Rrethina.


 


[callout]Shefqet Qefalia


Babai: Nuk është e vërtetë që djali im është vrasës me pagesë


PoliciaBabai i Alfred Qefalisë nuk e pranon akuzën e Policisë së Tiranës se djali i tij është vrasës me pagesë. Shefqet Qefalia, me banim në Farkë të Vogël të Tiranës, nuk arrin ta besojë se djali i tij është vrasës me pagesë. “Nuk është e vërtetë që djali im të ketë vrarë ndonjë njeri, në këmbim të parave. Akoma nuk e di se ku i ka gjetur provat policia që e akuzon Alfredin për një gjë të tillë”, -thotë ai. Ndërkaq, asnjë nga pjesëtarët e tjerë të familjes Qefalia, nuk e pranon akuzën e bluve të kryeqytetit. Edhe gjatë deklarimeve që Shefqet Qefalia ka dhënë në ambientet e Policisë së Tiranës, mësohet se ai e ka mohuar akuzën për vrasje me pagesë dhe kërkon që drejtësia të veprojë, duke e liruar 28-vjeçarin. Deri më tani, akuza zyrtare e Policisë së Tiranës për Alfred Qefalinë është ajo e “armëmbajtjes pa lejë”, pasi ende nuk ka prova për shpërthimet me tritol, në rrugën “Budi”, si dhe të atyre të ditëve të fundit në Tiranë. Në ditët në vijim pritet të sqarohen rrethanat e mbajtjes së tij në ambientet e policisë.[/callout]