Petrit VasiliKreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i ka cilësuar tërësisht të pavërteta akuzat e ngritura ndaj kreut të kësaj force politike njëkohësisht kreu i kuvendit, Ilir Meta lidhur me përfshirjen në një aferë korruptive me CEZ.


Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, Vasili u shpreh se këto akuza tregojnë se sa qesharake është bërë PD dhe se sa shumë probleme ka brenda vetes ajo parti në luftën mes klaneve të vjetër dhe të rinj brenda saj.


“Personat e përmendur në raport janë të gjithë persona të afërt me ish-kryeministrin Sali Berisha, Meta s’ka pasur asnjë lidhje me këtë. Berisha i njeh të gjithë ata, që Lulzim Basha gjithashtu i njeh më së miri, por duket se lufta e të rinjve dhe të vjetërve në PD është bërë e ashpër. Basha i bie pragut ‘Meta’ për të dëgjuar Berisha. Sa i përket vullnetit politik të LSI në atë kohë, KESH në atë kohë ka paditur ne gjykatat shqiptare tarifat e ulura nga ERE”, tha Vasili.


Vasili komentoi edhe raportin e OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 21 qershorit, të cilin e vlerësoi si përgjithësisht pozitiv, por ftoi të gjitha partitë politike në vend që t’i futen punës për të përmirësuar më tej ato që nuk shkojnë në mënyrë që në përfundim të zgjedhjeve të ardhshme në 2017 të kemi një raport sa më pozitiv. Sipas tij, LSI shpreh vullnetin për të përmirësuar këto standarde.


9 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)