
Në Afrikën e Jugut 500 persona filluan testimin e efekteve të mundshme mbrojtëse kundër COVID-19, të vaksinës të vjetër të përdorur për më shumë se një shekull të tuberkulozit (BCG).
“Prova klinike ka filluar, ne kemi vaksinuar pjesëmarrësit e parë këtë mëngjes”, deklaroi Duncan McDonald, një prej zyrtarëve të organizatës kërkimore mjekësore TASK që ka ndërmarrë studimin.
250 personave do tu injektohet BCG-ja, ndërsa 250 të tjerëve një medikament tjetër. Testi u krye në spitalin Tygerberg nën drejtimin e Andreas Diacon, kreu i TASK.
“Disa vëzhgime sugjerojnë që BCG ka efekte në sistemin imunitar që ne ende nuk i kuptojmë plotësisht, në mënyrë të veçantë që e forcon atë kundër infeksioneve të frymëmarrjes”, theksoi profesor Diacon.
Studimet kanë treguar se fëmijët e imunizuar me BCG vuajnë më pak nga sëmundjet e frymëmarrjes. Puna tjetër sugjeron që mund të mbrojë kundër astmës dhe sëmundjeve autoimune si diabeti i tipit 1.
Shkencëtarët po kërkojnë të demonstrojnë se mund të ketë efekte të ngjashme të dobishme kundër koronavirusit.
“Nëse do të ishte e mundur të zvogëloheshin vetëm pak simptomat e kësaj epidemie COVID-19, kjo do të shtonte shanset për të mbijetuar, të shmangte shtrimet në spital dhe ulje të numrit të të sëmurëve”, shtoi Andreas Diacon.