E drejta e autorit


Kompozitori shprehet se në 20 vite nuk ka marrë as vlerën më të vogël monetare për krijimtarinë e tij. Muzikë filmash artistikë, këngë e valle për Ansamblin popullor dhe muzikë e lehtë që vazhdon të transmetohet. I zhgënjyer dhe i lodhur, nuk ka shpresa se çështjet e krijimtarisë mund të rregullohen në bazë të ligjeve


Oliverta Lila


“Këto 20 vjet nuk kam marrë as 100 lekë të vjetra për një kafe e një gotë raki. Janë 8 filma, shumë këngë të ansamblit popullor e shumë muzikë e lehtë, që i shoh e i dëgjoj përditë. Nuk ka ardhur askush të më thotë merri këto 100 lekë për punën tënde”. Këto janë fjalët e kompozitorit Agim Krajka, teksa flet për të drejtën e autorit. Është i lodhur dhe i zhgënjyer nga mungesa e rregullave ligjore apo më saktë nga moszbatimi i tyre. Çështja e së drejtës së autorit mbetet ende një problem shumë i qenësishëm për artistët shqiptarë. Pavarësisht ekzistencës së një Zyre për të Drejtat e Autorit pranë Ministrisë së Kulturës, dhënien e mijëra eurove edhe nga Bashkimi Europian për këtë çështje, ngritjes së disa shoqatave me qëllimin për të mbrojtur kategori të caktuara krijuesish. I njohur për kompozimet e tij, që nga ato të parat, që nisin me këngën “Lemza”, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961, më pas me “Gjyshe”, “Djaloshi dhe Shiu”, “Nuk e harroj”(kënduar nga motrat Libohova), Krajka shprehet se nuk ka shpresë që ai, por edhe shumë artistë të tjerë nuk do të marrin kurrë atë që u takon. “Nuk kam moshë të pres edhe 20 vjet të tjera që ligjet të funksionojnë”, thotë ai.


Zoti Krajka a keni përfituar nga ushtrimi i së drejtës së autorit mbi krijimtarinë tuaj?


Kam 40 vjet krijimtari dhe nuk kam marrë as 100 lekë të vjetra për të drejtën e autorit. Kujt duhet t’i drejtohem për këtë punë? Gjykatës së Strasburgut?! As për të pirë një kafe e një gotë raki nuk kam marrë. Nuk e di se pse shteti nuk vepron në këtë fushë. Sigurisht që ka shumë probleme të tjera për t’u zgjidhur, por janë institucionet e varësisë që paguhen për këtë punë, që duhet ta zgjidhin këtë problem. Kam bërë muzikën e tetë filmave artistikë, shumë këngë e valle i kam në Ansamblin Popullor dhe sa e sa muzikë të lehtë. Kujt t‘i kërkoj llogari se pse ka përdorur muzikën time? Kënaqemi me faktin që i evidentojnë. Unë flas për një realitet objektiv. Jam shumë krenar që u ktheva nga Amerika në vendin tim, ka edhe shumë zhvillime, sidomos në infrastrukturë, por çdo njeri është i lidhur me interesat e veta. Unë nuk jam shpërblyer për krijimtarinë time.


Vitet e fundit janë krijuar disa shoqata, me qëllim që të mbrojnë artistët…


Le të krijohen sado shoqata, unë do ta marr vesh ekzistencën e tyre kur të më thonë: “Zoti Agim Krajka, të takon të marrësh kaq para për të drejtën e autorit, sepse të është përdorur kjo këngë apo ai film.” Të gjitha krijimet e mia i kam parë në videoteka. Që kur isha në Amerikë, bleva një dvd “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, etj. Shiten si këtu e atje. Në të njëjtën kohë djali im në Amerikë, shkroi një muzikë filmi italo-amerikan, më merr në telefon dhe më thotë a mund ta përdor pak këngën tënde “Këndoj”, e kënduar nga Parashqevi Simaku. Kur shkoj pas dy ditësh  në Amerikë, më vjen çeku 250 dollarësh, që kishin përdorur pak nga muzika ime. Kush është Agim Krajka për Amerikën? Por atje funksionon shteti ligjor. Këtu çdo javë shfaqen filmat e mi e të kolegëve të mi. Unë nuk kam jetë të pres edhe 20 vjet të marr atë që më takon. Megjithatë, jam krenar që jam shqiptar.


Ju keni qenë vazhdimisht kritik për muzikën që bëhet sot. Shihni ndonjë shenjë ndryshimi?


Ka shumë njerëz që edhe sot i këndojnë këngët që ne kemi bërë atë kohë. A mund të më këndosh një këngë që mban mend këto 20 vitet e fundit? Nuk ka. Sot bëhet muzikë, hidhet në treg, merren ca para. Askush nuk pyet për vokalet. Ne shyqyr që ia arritëm kësaj dite, që të kemi liri, por në çdo vend të botës liria edhe mbrohet. Nëse shoh disa ndryshime pozitive në Shqipëri, te individi shoh një mungesë të madhe vetëdijeje që jemi shqiptar.


Globalizmi është globalizëm, por Franca nuk e lejon t’i dhunosh kulturën, as Italia, as Greqia apo Serbia. Me jemi bërë një oborr pa gardh. Besoj se institucionet duhet të marrin përgjegjësitë. Këtë lloj lirie e demokracie që ekziston sot, ne e shpërdorojmë e kjo po kthehet në një dramë.   


Beson ende te talentet e reja?


Shqipëria është një nga vendet më të talentuara të botës. Ka kompozitorë të shkolluar dhe të talentuar që në 100 këngë e shkruajnë një për së mbari, por është në minoritet. Më parë ne shikonim ke apo nuk ke vokal, nuk shihnim si i ke këmbët e si i ke vithet. Një herë më erdhi një vajzë e më tha: “A mund të më bësh VIP mua?”. “Po si bëhesh VIP?”, i thashë. “Po pse, si të dukem unë?”, më tha. Iu përgjigja se nuk kishte të sharë, por kjo nuk ishte meritë e saj, por e natyrës. Nuk vjen njeri të të thotë, më dëgjo njëherë nëse kam vokal apo jo. Ka komplet principe të tjera sot.