PS ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme denoncimin e skandalit në sistemin elektroenergjetik shqiptar, të cilin e cilëson si një piramidë të rrezikshme për ekonominë vendit.
Deputeti i PS, Arben Ahmetaj në një dalje për mediat ka bërë të njohura një sërë dokumentesh që tregojnë rritjen galoponte të çmimit të energjisë nga viti 2005, që është me 200 për qind sipas tij, dhe faji për këtë, ka theksuar Ahmetaj, është i qeverisë së sotme, e cila i ka premtuar kompanisë CEZ rritje të çmimit të energjisë në kurriz të konsumatorëve shqiptarë.
“Rritja e çmimit të energjisë është bërë në kurriz të shqiptarëve, me 200 për qind më tepër se në 2005. Kjo, për faj të neglizhencës, papërgjegjshmërisë së qeverisë, që k sjellë ngarkesë dhe varfëri për familjet shqiptare. Rritja e çmimit ka qenë premtim i qeverisë për CEZ në kurriz të shqiptarëve.
9,5 lekë paguani sot për kv, qeveria i ka premtuar CEZ ta çojnë në 12 lekë, duke sjellë varfërimin e mëtejshëm të shqiptarëve, për shkak të një privatizimi të dështuar”, ka theksuar deputeti i PS
Një tjetër çështje të cilës i është referuar Ahmetaj gjatë prononcimit të sotëm ka të bëjë me mungesën totale sipas tij, të investimeve në rrjet nga ana e CEZ, në një kohë që ky është një detyrimi i kompanisë në bazë të marrëveshjes së privatizimit të OSSH.
“Mungesa e investimeve nga kompania ka sjellë rritjen e çmimit. Enti rregullator e ka për detyrim ligjor të bëjë transparente të gjitha planet e investimeve.
Qeveria shqiptare ka fshehur detyrimet që kanë përpara shqiptarëve. Në kontratën e privatizimit nuk ka asnjë plan investimi dhe Enti rregullator duhet të përgjigjet për këtë”, tha Ahmetaj.
Më tej deputeti socialist ka zbardhur një sërë dokumentesh që përmbajnë vendime të Entit rregullator në lidhje me investimet e CEZ, të cilat sipas tij rezultojnë të gjitha bosh, çka tregon mungesë totale transparence dhe papërgjegjshmërie nga ana qeverisë.
3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)