Aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë protestuar mëngjesin e sotëm në dyert e Bashkisë së Tiranës ndaj atyre që i kanë vlerësuar si politika të gabuara që kryebashkiaku Lulzim Basha po ndjek që nga zgjedhja e tij në krye të bashkisë më të madhe në vend. Ata i kanë kërkuar kreut të këtij dikasteri të mos merret me kanoçet e romëve, të cilat tanimë i administron kunati i tij, por të merret me problemet kryesore të metropolit shqiptarë.
“Si qytetarë të Tiranës kemi ndjekur me shumë vëmendje situatën që krijoi Policia Bashkiake e kryetarit të bashkisë, sigurisht me urdhër të tij, me komunitetin rom dhe mbledhjen e kanoçeve. Aleanca KuqeZi I bën apel kryetarit të bashkisë të mos merret me çështje të tilla, kaq pak shqetësuese, por të punojë dhe të mbajë premtimet e dhëna para një viti” deklaroi Sekretari Organizativ i Aleancës KuqeZi Z.Redi Ramaj. Duke u ndaluar tek problemet kryesore që përballen 1 milion banorët e Tiranës, Ramaj përmendi disa prej tyre:”Sot shumë rrugë në Tiranë janë amortizuar, semaforët në metropolin e Shqipërisë 80% nuk funksionojnë, zona të tëra përmbyten me dy pika uji, taksitë janë kthyer në monopol të kunatit dhe kryetarit por dhe rrugët publike gjithashtu” deklaroi Redi Ramaj.
Përfaqësuesit e AK-së kishin mbledhur kanoçe në rrugët e kryeqytetit për “t’ia dhuruar” kunatit të kryebashkiakut. “Aleanca KuqeZi e sensibilizuar nga halli më i madh që ka kryetari i bashkisë së një milionë banorëve, kanoçet, ka mbledhur me dhjetëra kanaçe, të cilat do t’ia dhurojë kunatit të Lulzim Bashës. Urojmë që kontributi ynë qytetar të përmirësojë disi jetën e kunatit të Lulzim Bashës”,- deklaroi Ramaj. Aktivistët kuqezinj mbanin të shpalosur një banderolë ku shkruhej “Halli i Tiranës, Kunati i Bashës”.
19 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)