Aleanca Kuq e Zi ka protestuar sot në Kamëz për vendosjen e flamujve simbol të PD-së përkrah atyre kombëtarë. Përfaqësuesi i AK-së, Augent Xhaferaj, e ka konsideruar akt të turpshëm tentativën e PD-së për të barazuar simbolet kombëtare me ato partiake.


“Është turp për të gjithë ne që sot në këtë aks nacional ku me mijëra qytetarë kalojnë gjatë ditës të shohim se si Partia Demokratike e ka barazuar flamurin me ngjyrat bardhë e blu përkrah flamurit kombëtar kuqezi në këtë prag 100 vjetor të pavarësisë. Aleanca Kuq e Zi e konsideron këtë një akt të turpshëm të funksionarëve të partisë-shtet në këtë zonë të kryeqytetit ku simbolet kombëtare barazohen me ato partiake dhe pushtetare”, ka deklaruar Xhaferaj.


Për AK-në nisma një “flamur për çdo dritare” e prezantuar më 25 Nëntor të vitit 2011 ka për qëllim lartësimin e vlerave kombëtare dhe simboleve shqiptare në 100 vjetorin e pavarësisë dhe jo lartësimin e flamurit me ngjyra helene siç është flamuri i PD-së.


“Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë që vendosja e flamujve të Partisë Demokratike të Sali Berishës me forcën e pushtetit dhe policisë nuk do të zhbëjë atë që pritet të jetë lumi i ngjyrave kuqezi më 28 Nëntor. Turpi nuk kapërdihet me bukë dhe ky flamur me këto ngjyra ka turpëruar kombin shqiptar duke prit dhe përcjellë ministrat grekë dhe serbë, duke shitur territorin, varrezat e të parëve dhe lejuar cenimin e integriteti territorial dhe moral të shqiptarëve.


Fundi i epokës së pseudodemokratit Sali Berisha po troket dhe 100 vjetori kuqezi është pranë, dhe shqiptarët do të marrin në kontroll shtetin e tyre të cilin Aleanca Kuq e Zi premton se do t’ia rikthejë me çdo kusht si dhuratën më të çmuar në 100 vitet e pavarësisë shqiptare dhe jo 100 vitet e shtetit shqiptar”, ka theksuar përfaqësuesi i AK-së.


8 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)