Dritan Kanapari djeg titullin “Pishtar i Demokracisë” të dhënë nga Berisha, ish-president


Aleanca Kuqezi ka zhvilluar dje një aktivitet në qytetin e Kavajës që ka pasur si qëllim kalimin e dhjetërave themeluesve të Partisë Demokratike tek ky formacion i ri politik. Përmes një ceremonie të posaçme, ish-themeluesit e PD-së kanë dorëzuar teserat e PD-së, për t’ju bashkuar këtij formacioni të ri politik. Dje në Kavajë, Dritan Kanapari, i cili është një nga ish-themeluesit e degës së Partisë Demokratike në këtë qytet prej dekadash, ka djegur në shenjë revolte titullin “Pishtar i Demokracisë” të dhënë nga ish-presidenti i vendit, duke e quajtur Sali Berishën një diktator të kohëve moderne. “Dekoratat e diktatorit Sali Berisha i djegim, sepse vetëm demokraci nuk sollën. Kontributi ynë dhe i qindra e mijëra shqiptarëve të cilët luftuan për liri dhe demokraci, sot po përballen me vështirësi të të gjitha aspekteve sociale dhe ekonomike. Me keqardhje ne konstatojmë se beteja jonë për demokraci ende vazhdon”, deklaroi Dritan Kanapari gjatë aktivitetit. I pranishëm në aktivitet ka qenë kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, i cili ka garantuar të pranishmit se Aleanca Kuqezi do të mbetet lëvizja patriotike, e cila nuk do të ndryshojë për asnjë çmim dhe kusht rrugëtimin e saj drejtë realizimit të premtimeve të bëra përpara qytetarëve shqiptarë. “Ka ardhur koha të zhbëjmë shprehjet tradicionale që dëgjojmë nga shoqëria e polarizuar se Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë. Ne do t’i tregojmë shqiptarëve dhe mbarë opinionit ndërkombëtar se Shqipëria bëhet nëse janë shqiptarët të parët që e besojnë këtë”, deklaroi ai.