Deklarata: “Berisha e zgjodhi sepse mbështeti antikushtueshmërinë e marrëveshjes të kufijve detarë me Greqinë”
Ndërsa kandidati i mazhorancës për president, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, ka nisur një tur takimesh me opozitën dhe aleatët e PD-së, Aleanca KuqeZi është shprehur kundër kandidimit të tij. Në një komunikim për mediat AK-ja ka deklaruar se Zaganjori nuk duhet të bëhet president i ri i vendit, sepse ka mbështetur antikushtueshmërinë e marrëveshjes të kufijve detarë me Greqinë. “Me vendim datë 26.11.2009 të Gjykatës Kushtetuese është votuar pro legjitimimit të padisë për gjykimin e çështjes në lidhje me papajtueshmërinë me kushtetutën e Shqipërisë së marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në seancën për legjitimim apo jo të kërkesës në fjalë, kandidati për president, ka votuar në minorancë duke mbështetur antikushtueshmërinë e marrëveshjes me Greqinë.
Në votimin 5 me 4, gjyqtari Xhezair Zaganjori është shprehur Pro marrëveshjes, duke votuar kundër pranimin të kërkesës për këtë çështje në gjykatën Kushtetuese. Aleanca KuqeZi e ka denoncuar marrëveshjen e kryeministrit Berisha me Greqinë si një akt tradhtie historik dhe një njollë e zezë në 100 vitet e shtetit shqiptar dhe për rrjedhojë e fton gjithë publikun të kuptojë pse kryeministri i Shqipërisë ka bërë këtë përzgjedhje në vazhdën e shërbimeve dhe marrëveshjeve që ka me diplomacinë greke”, ka thënë përfaqësuesi i Aleancës KuqeZi, Redi Ramaj.
1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)