akAleanca Kuq e Zi njofton themelimin në ilegalitet në Greqi të degës së saj, “Aleanca KuqeZi Çamëria”, që synon mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe dinjitetin e më shumë se 1 milion bashkëkombësve shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj. “Aleanca KuqeZi Çamëria” pas ngritjes së strukturave të para në Gumenicë, pritet t’i shtrijë ato në të gjithë Greqinë, kryesisht në zonën e Çamërisë, ku edhe do të përqendrohet forca dhe aktiviteti i partisë.


“AK Çamëria ka sigurisht një program dhe platformë të qartë jo vetëm për shqiptarët etnikë të Çamërisë, por edhe për emigrantët shqiptarë që aktualisht jetojnë, punojnë dhe shkollohen në Greqi. Për herë të parë, një parti politike shqiptare krijon në Greqi degën e saj duke treguar vëmendje dhe kujdes parësor për emigrantët, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete.


Shumë është folur në emër të emigrantëve këto 23 vjet demokraci nga politikanët shqiptarë por asgjë nuk është bërë për ta, madje as e drejta elementare për të votuar në shtetin e tyre amë. “Aleanca KuqeZi Çamëria” përveç programit dhe platformës kombëtariste ka si qëllim edhe marrjen pjesë në garat elektorale në shtetin fqinj të Greqisë, madje që në zgjedhjet lokale ku pritet që mbi 500 mijë shqiptarë me të drejtë vote do t’i japin mbështetje partisë së parë shqiptare në Greqi”, thuhet në njoftimin e AK-së.


18 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)