Si do të funksionojë dhe programet që do të ofrojë
Shtatë vite pasi u mbyll Akademia e Policisë, duke u kthyer vetëm në një shkollë bazë për arsimin policor, ajo do të rikthehet sërish, por tashmë në formën e një universiteti. Në shtator, Akademia e Policisë do të hapë dyert për të gjithë efektivët, të cilët do të ndjekin arsimin e lartë policor, do të kryejnë një master apo do të mbrojnë një doktoratë. Vendimi për rikthimin e akademisë së policisë u mor që në shkurt të këtij viti nga qeveria, ndërkohë që tashmë është planifikuar sesi do të funksionojë ajo, sa do të zgjasë secili program shkolle, që nga ai bazë e deri te doktorata.
Shkolla Bazë
Akademia e Policisë do të jetë institucioni përgjegjës i arsimit të lartë publik që ka për mision formimin, kualifikimin dhe specializimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe ofrimin e kualifikimeve dhe specializimeve për institucione të tjera të zbatimit të ligjit dhe për persona fizikë e juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike. Por, në të do të ofrohen edhe programe për formimin, kualifikimin dhe specializimin e punonjësve të nivelit zbatues në Shkollën Bazë të Policisë. Kjo shkollë është jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm. Ajo zgjat 1-2 vite akademike, e ndërthurur me teori–praktikë dhe kursantët përfitojnë deri në 120 kredite (ECTS) dhe diplomë profesionale si punonjës policie i nivelit bazë.
Bachelor
Po ashtu, Akademia do të ofrojë përgatitjen, kualifikimin dhe specializimin e specialistëve të Policisë së Shtetit me arsim të lartë në fushën e policimit e sigurisë në ciklin e parë të studimit “Bachelor”. Ky program ka për qëllim të pajisë studentët me njohuritë bazë, mbi metoda e parime të përgjithshme, si dhe formimin e shprehive të veçanta në fushën e policimit. Ai realizohet me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tij është tri vite akademike. Në përfundim të kësaj shkolle lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit policor me titull “Specialist i lartë policie”, si dhe jepet grada “Nënkomisar”. Pranimi për bachelor bëhet me konkurrim nga dy drejtime. Një është për “inspektorët”, që kanë mbaruar Shkollën Bazë të Policisë dhe kanë pesë vjet vjetërsi shërbimi në polici. Këta studentë nuk e fillojnë shkollën nga fillimi, pasi mbartin me vete deri në 120 kredite, pra dy vite akademike, të fituara gjatë studimeve në Shkollën Bazë të Policisë, të cilat transferohen në këtë shkollë. Kurse drejtimi tjetër është për studentët që vijnë nga jashtë policisë për specialitete të veçanta, për të cilat ka nevojë Policia e Shtetit, si juristë, informatikanë, financierë, inxhinierë, biologë, psikologë etj., të cilët transferojnë kreditet e fituara në studimet universitare të ciklit të parë (bachelor). Këta persona duhet të kenë përvojë pune jo më pak se pesë vjet në fushën përkatëse, si dhe nuk kanë të drejtë të aplikojnë për ngritje në gradë / detyrë apo të transferohen në funksione të tjera policore për një periudhë gjashtëvjeçare.
Master
Pas këtij niveli, në akademi do të hapet edhe cikli i dytë i studimit master, i cili ofrohet për kualifikimin dhe specializimin e oficerëve të policisë me arsim të lartë, pra me diplomë bachelor. Kjo shkollë ofron arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional në fushën e policimit dhe sigurisë. Programi mësimor realizohet me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1.5–2 vite akademike. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master profesional” dhe “Master shkencor” në fushën e arsimimit policor dhe punonjësit të diplomuar i lind e drejta për të marrë gradën “Drejtues”.
Doktoratë
Gjithashtu, Akademia e Policisë do të marrë përsipër edhe përgatitjen e specialistëve në fushën e policimit e sigurisë në ciklin e tretë të studimit “Doktoratë”. Në të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”. Akademia e Policisë vendos kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike. Ajo përcakton standarde e kritere kualifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve. Ky program zgjat të paktën tri vite akademike dhe përfshin 60 kredite për studime të organizuara teorike. Në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës, lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr). Pra me këtë mënyrë, Akademia e Policisë do t’i ngjajë një universiteti profesional.
Argumentet
Niveli i ulët profesional riktheu shkollën e lartë
Niveli i ulët profesional i punonjësve të policisë ka qenë argumenti i dhënë nga drejtuesit e kësaj organizate për të rikthyer Akademinë e Policisë, tashmë në nivelin e një universiteti. Sipas argumentimit që i është paraqitur qeverisë para se kjo të merrte vendimin për rikthimin e akademisë, thuhet se profesionalizmi i punonjësve të policisë është tepër i ulët, kjo edhe si rezultat i ndryshimit të sistemit arsimor policor, pasi sistemi aktual në Qendrën e Formimit Policor, përjashtuar Shkollën Bazë të Policisë, nuk u përgjigjet standardeve e nevojave të policimit dhe dinamikës së krimit, madje është bërë pengesë në garantimin e rendit dhe sigurisë në parametra e standarde europiane. Po ashtu, nga analiza e kryer rezulton se niveli arsimor i punonjësve aktualë të policisë është i mangët. Punonjësit e policisë të nivelit bazë janë rreth 70 për qind me arsim të mesëm dhe Policia e Shtetit nuk ka sistem shkollimi për punonjësit që promovohen në gradë e karrierë mbi nivelin e parë të drejtimit.
Mungesa e akademisë
Ka ulur ndjeshëm nivelin e formimit të përgjithshëm dhe profesional të punonjësve
Ka penguar përgatitjen e oficerëve të policisë gjyqësore
Ka dëmtuar procesin e ecurisë në karrierë të punonjësve të policisë
Ka bllokuar procesin e promovimit të kryeinspektorëve për nënkomisarë
Ka dobësuar kapacitetet menaxhuese të punonjësve të niveleve më të larta
Objektivat
Ngritja e kapaciteteve të formimit policor, në kushte gjithnjë e në rritje që ka komuniteti për një polici profesionale dhe korrekte në shërbim të tyre
Krijimi i hapësirave për bashkëpunim me institucionet e tjera të larta arsimore në vend dhe me ato jashtë vendit.
Krijimi i mundësive për njohjen dhe transferimin e krediteve në institucione të tjera të larta arsimore dhe njohjen apo njësimin e moduleve ose lëndëve mësimore
Krijimi i hapësirave për kualifikimin dhe specializimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera të sigurisë publike, si formë e të mësuarit gjatë gjithë jetës
Zhvillimi i programeve për studime e kërkime shkencore në fushën e rendit publik, investigimit të krimit dhe sigurisë