Tre persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident tragjik të ndodhur pasditen e sotme në autostradën Kukës-Kalimash, pranë vendit të quajtur Kolsh.

Sipas informacioneve të policisë, në këtë aksident janë përfshirë një automjet tip kamion dhe një fuoristradë të cilat për shkak të shpejtësisë së madhe, janë përplasur me njëra-tjetrën.


Si rezultat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dy persona, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur, por njëri prej të plagosurve nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Kukësit. Ndërkohë, njëri nga të plagosurit është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore në Spitalin Ushtarak për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.


Mësohet se dy nga viktimat, Lekë Markgjoni, 28 vjeç, drejtuesi i mjetit tip fuoristradë,  Mirjan Doda, 23 vjeç si dhe dy të plagosurit, Sokol Pulaj dhe Gjelosh Lataj ishin nga Fushë-Kruja dhe udhëtonin drejt Kosovës, ndërsa viktima e tretë është Ilmi Pira, drejtuesi i kamionit.


Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik.

24 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)