Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Arsimit të vendosë rregulla të forta për transportin e organizuar të nxënësve dhe studentëve në udhëtime të përbashkëta


Mbledhja e sotme e qeverisë e kryesuar nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka nisur me një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e 13 viktimave të aksidentit të rëndë të ndodhur ditën e hënë në vendin e quajtur ‘Qafa e Vishës’, në afërsi të Sarandës.


“Në emër të Qeverisë u shpreh ngushëllimet më të thella, solidaritetin më të lartë familjeve të viktimave të këtij aksidenti tragjik. Të lutemi që ato të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e madhe dhe të rëndë të shkaktuar nga humbja e jetës së vajzave të tyre dhe njerëzve të tyre më të dashur. T’u urojmë të plagosurve, të traumatizuarve të këtij aksidenti shërim të shpejtë dhe ti garantojmë se Qeveria do bëj gjithçka për shërimin e tyre sa më të plotë dhe sa më të mirë”, – u shpreh Berisha.


Ndërkohë sa i përket përcaktimit të shkaqeve që sollën këtë tragjedi të tmerrshme për kombin shqiptar, kryeministri Berisha kërkoi një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të tij, ku të përfshihen disa ministri; përveç Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Brendshme, të hetohet edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit, pasi siç u shpreh Berisha, duhet të ekzistojnë rregulla të caktuara për transportin e organizuar të nxënësve dhe studentëve në udhëtime të përbashkëta. Më tutje kryeministri u shpreh se do të jetë ekspertiza e specializuar e prokurorisë ajoi që do të japë edhe fjalën e fundit sa i përket shkaqeve të vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë.


23 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)