Ngjarja në rrugën Elbasan-Peqin, vdes Arben Zhuzhi plagoset Vilson Tabaku


Silvana Muça 


Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti fatal, të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin nacional Elbasan-Peqin, në fshatin Lolaj, ku dy oficerë të Gardës së Republikës janë aksidentuar. Burime nga policia bëjnë me dije se mjeti tip fuoristradë me targa Tr 4234 K, ka dalë nga rruga, duke lënë të vdekur në vend, drejtuesin e mjetit Arben Zhuzhi, 37 vjeç. Gjithashtu, nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe Vilson Tabaku 33 vjeç, i cili ka qenë pasagjer në mjetin e përfshirë në aksident. Fatmirësisht, Tabaku është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse është dërguar urgjentisht në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit, për të bërë një kontroll mjekësor. Dy personat e lartpërmendur janë oficerë pranë Gardës së Republikës dhe ishin nisur në shërbim.


Burimet bëjnë se ata bëjnë pjesë në eskortën e Presidentit Bujar Nishani dhe po udhëtonin nga Tirana drejt Maqedonisë, ku Presidenti kishte një takim zyrtar në Ohër. Si pasojë e kësaj, oficerët e Gardës ishin nisur rreth 30 minuta përpara Presidentit për çështje të sigurisë. Ata do të kontrollonin aksin internacional Tiranë–Qafë Thanë, në të cilën do të kalonte Nishani, disa minuta më vonë. Qëllimi i nisjes së eskortës përpara kreut të shtetit ishte që ata të lidhnin kontaktet me policinë lokale, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. Por në Lolaj të Peqinit, 37-vjeçari është aksidentuar për vdekje si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtimit të mjetit. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor dhe forca të shumta policie, përfshi rendin dhe qarkullimin, të cilët nisën zbardhjen dhe rrethanat në të cilën ndodhi aksidenti.


Dy prokurorë kanë qenë në gatishmëri të plotë, për t’i dhënë dritë aksidentit fatal. Nga konkluzionet paraprake, dyshohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit e më pas daljen nga rruga e tij. Gjithashtu lagështia, si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë natës, ka ndikuar në daljen e mjetit nga rruga, i cili ka rrëshqitur për disa metra. Më pas ai ka bërë disa rrotullime dhe në pjesën e përparme, është dëmtuar mjaftueshëm, ç’ka ka shkaktuar edhe humbjen e menjëhershme të jetës së Zhuzhit. Gjithsesi, këto janë vetëm të dhëna paraprake. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.